SHBA sanksionon 9 institucione kineze për shkak të politikave shtypëse mbi turqit ujgurë
Senati amerikan më 15 maj miratoi një projekt-ligj i cili parashikonte zbatimin e sanksioneve ndaj zyrtarëve kinezë për shkak të politikave shtypëse kundër turqve ujgurë në rajonin autonom ujgur Xinjiang

Washington
Departamenti amerikan i Tregtisë vendosi 9 institucione kineze në listën e sanksioneve për shkelje të të drejtave të njeriut kundër turqve ujgurë në rajonin autonom ujgur Xinjiang, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Zyra e Industrisë dhe Sigurisë së Departamentit amerikan të Tregtisë ka vendosur në listën e sanksioneve 8 kompani kineze dhe Institutin e Shkencave të Mjekësisë Ligjore të Ministrisë për Sigurinë Publike të Kinës. Në kuadër të këtij sanksioni, 9 institucionet në fjalë do të përballen me kufizimin e qasjes në teknologjinë amerikane", thuhet në një deklaratë nga Departamenti amerikan i Tregtisë.
Në kuadër të sanskioneve në fjalë, ndaj këtyre institucioneve do të zbatohen rregulla të ashpra eksporti në pikën e blerjes së produkteve amerikane, nënvizohet në deklaratën në të cilën thuhet më tej se "Këto 9 institucione janë përshirë në krime të tilla si shkelje e të drejtave të njeriut, abuzime, fushata shtypëse, arrestime të padrejta kundër ujgurëve në Kinë dhe ndaj pakicave të tjera muslimane në rajonin autonom ujgur Xinjiang".
Departamenti amerikan i Tregtisë njoftoi se ka vendosur gjithashtu në listën e sanksioneve edhe 24 organizata të tjera me qendër në Kinë për shkak të "përfshirjes së tyre në veprime që nuk përputhen me interesat e politikës së jashtme ose të sigurisë kombëtare të SHBA-së".
- Senati amerikan kishte miratuar projekt-ligjin e paraqitur për turqit ujgurë
Senati amerikan më 15 maj miratoi një projekt-ligj i cili parashikonte zbatimin e sanksioneve ndaj zyrtarëve kinezë për shkak të politikave shtypëse kundër turqve ujgurë në rajonin autonom ujgur Xinjiang.
Projekt-ligji pritet të paraqitet për miratim nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, menjëherë pasi të rivotohet në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.