Bota

SHBA, rritet në 3 numri i viktimave nga moti i keq në Kaliforni

Rreth 100 mijë persona mbetën pa energji elektrike për shkak të stuhisë dhe reshjeve në shtet

Bekir Aydoğan  | 26.12.2025 - Përdıtësım : 26.12.2025
SHBA, rritet në 3 numri i viktimave nga moti i keq në Kaliforni

Ankara

Numri i personave që humbën jetën si pasojë e reshjeve të dendura, stuhive dhe përmbytjeve në shtetin amerikan të Kalifornisë është rritur në 3, transmeton Anadolu.

Sipas BBC-së, stuhia e fuqishme ka shkaktuar evakuime dhe mbyllje të rrugëve kryesore në disa zona të qytetit Los Angeles. Ndërsa autoritetet po përpiqen të shpëtojnë personat e bllokuar në automjetet e tyre për shkak të ujërave të përmbytjes, që nga dita e djeshme rreth 100 mijë persona në shtet kanë mbetur pa energji elektrike.

Qendra Amerikane e Parashikimit të Motit paralajmëroi se ekziston mundësia e përmbytjeve të menjëhershme. Autoritetet njoftuan se një 64-vjeçar humbi jetën të mërkurën në qytetin San Diego pasi mbeti nën një pemë të rrëzuar ndërsa një tjetër rreth të 70-ave humbi jetën të hënën në rajonin Mendocino "si pasojë e tërheqjes në oqean nga dallgët".

Më herët ishte bërë e ditur se edhe një 74-vjeçar humbi jetën gjatë fundjavës në rajonin Redding për shkak të përmbytjeve.

Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, në një deklaratë dje lidhur me reshjet dhe stuhitë e ditëve të fundit në shtet, njoftoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për rajonet Los Angeles, Orange, Riverside, San Bernardino, San Diego dhe Shasta.

Ai theksoi se zonat e dëmtuara pas zjarrit në muajin janar në rajonin Pacific Palisades përballen me kërcënimin e reshjeve të dendura, rrëshqitjeve të baltës dhe rrjedhjes së mbetjeve.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın