SHBA, rriten tensionet në Çikago pasi Zyra e Imigracionit ndaloi rreth 10 migrantë
Incidenti shkaktoi kritika nga grupet lokale të të drejtave të njeriut dhe anëtarët e komunitetit

Shkup
Në Çikago u rritën tensionet pasi Zyra Amerikane e Imigracionit dhe Doganave (ICE) ndaloi afërsisht 10 migrantë gjatë inspektimeve, sipas raporteve lokale, raporton Anadolu.
Incidenti shkaktoi kritika nga grupet lokale të të drejtave të njeriut dhe anëtarët e komunitetit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump të mërkurën në mbrëmje njoftoi një ndalim që do të ndalojë udhëtimin në SHBA nga një sërë vendesh dhe do të kufizojë udhëtimin nga shtatë të tjera për shkak të rreziqeve të dyshuara të sigurisë.
Trump lëshoi direktivën në një shpallje presidenciale dhe një mesazh video-shoqërues në të cilin tha se një sulm i kohëve të fundit ndaj një marshimi në Boulder të Colorados për pengjet izraelite në Gaza "ka nënvizuar rreziqet ekstreme që i paraqiten vendit tonë nga hyrja e shtetasve të huaj që nuk janë verifikuar siç duhet, si dhe atyre që vijnë këtu si vizitorë të përkohshëm dhe qëndrojnë më gjatë se vizat e tyre".
Shtëpia e Bardhë në një deklaratë tha se Trump ndërmori këtë veprim pasi shqyrtoi një raport nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio dhe zyrtarë të tjerë.
Urdhri i Trumpit ndalon në mënyrë specifike shtetasit nga Afganistani, Mianmari, Çadi, Republika e Kongos, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Haiti, Irani, Libia, Somalia, Sudani dhe Jemeni të hyjnë në SHBA. Ndërkaq shtatë vende të tjera Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela do të përballen me kufizime të pjesshme dhe hyrje të kufizuar të shtetasve të tyre.