SHBA rrit në 50 milionë dollarë shpërblimin për arrestimin e presidentit të Venezuelës
Qeveria amerikane njoftoi se nga 25 milionë dollarë që ishte më parë ka rritur në 50 milionë dollarë shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro

Ankara
Qeveria amerikane njoftoi se nga 25 milionë dollarë që ishte më parë ka rritur në 50 milionë dollarë shpërblimin për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, transmeton Anadolu.
Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi se janë përditësuar informacionet në lidhje me shpërblimin e vendosur për kapjen e Maduros.
"Maduro ka shkelur ligjet e SHBA-së për narkotikët. Departamentet e Shtetit dhe të Drejtësisë kanë rritur shpërblimin e ofruar sipas Programit të Shpërblimeve për Narkotikët (NRP) në 50 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e presidentit të Venezuelës", thuhet në deklaratë.
Në deklaratë pretendohet se Maduro ka qenë udhëheqësi i kartelit "Cartel de los Soles", një grup përgjegjës për trafikimin e drogës në SHBA për më shumë se një dekadë. Departamenti i Thesarit i SHBA-së më 25 korrik e shpalli "Cartel de los Soles" si një Terrorist Global të Caktuar Posaçërisht (SDGT).
"SHBA-ja nuk e njeh Maduron si fitues të zgjedhjeve të vitit 2024 dhe nuk e pranon atë si president të Venezuelës dhe se nëpunësit civilë dhe punonjësit shtetërorë janë të përjashtuar nga ky shpërblim", theksohet më tej në deklaratën e Departamentit të Shtetit.