Politikë, Bota

SHBA: Propozimet e sigurisë të dorëzuara Rusisë ruajnë politikën e "dyerve të hapura" të NATO-s

“Dera e NATO-s është e hapur, mbetet e hapur dhe ky është angazhimi ynë”, tha sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken

Michael Gabriel Hernandez  | 26.01.2022 - Përdıtësım : 27.01.2022
SHBA: Propozimet e sigurisë të dorëzuara Rusisë ruajnë politikën e "dyerve të hapura" të NATO-s

Washington DC

Përgjigja e SHBA-së ndaj kërkesave ruse të sigurisë në vazhdën e krizës në lidhje me Ukrainën, kundërshtoi kërkesën kryesore nga Kremlini, pranoi sekretari i Shtetit Antony Blinken, transmeton Anadolu Agency (AA).

Dokumenti, i dorëzuar me dorë nga ambasadori i SHBA-së John Sullivan në Moskë, përsërit deklaratat e mëparshme publike në të cilat NATO-ja theksonte se nuk do t’u nënshtrohej kërkesave të Rusisë që Ukrainës të ndalohej nga anëtarësimi, u tha Blinken gazetarëve.

“Ne do të ruajmë parimin e dyerve të hapura të NATO-s”, tha kryediplomati amerikan, duke shtuar se ky është “një zotim ndaj të cilit ne jemi të lidhur”.

“Dera e NATO-s është e hapur, mbetet e hapur dhe ky është angazhimi ynë”, shtoi ai.

Dokumenti erdhi në vazhdën e një krize të ashpër midis Perëndimit dhe Rusisë në lidhje me Ukrainën, ndërkohë që Blinken tha se ai nuk do të vihet në dispozicion të publikut për të siguruar që të ketë “shansin më të mirë për të pasur sukses”.

Blinken tha se përgjigja e SHBA-së përfshin propozime për të adresuar “fusha të tjera ku ne shohim potencial për përparim”, duke përfshirë kontrollin e armëve, raketat në Evropë dhe një marrëveshje pasuese të paktit të armëve bërthamore të vitit 2011 të njohur si “New START” që vendos kufizime në numrin e armët bërthamore në arsenalet e SHBA-së dhe Rusisë.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 120.000 trupa në kufirin e saj me ish-republikën sovjetike, shoqëruar me një dislokim masiv të automjeteve të blinduara dhe artilerisë.

Një grumbullim i ngjashëm është parë në Bjellorusi, në veri të Ukrainës. Në të dyja rastet, Rusia mohon përgatitjen për një pushtim dhe thekson se forcat e saj janë atje për stërvitje të rregullta.

SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë kanë paralajmëruar Rusinë se do të paguajë shtrenjtë për çdo ofensivë ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë vendosjen e sanksioneve “të paprecedentë ekonomike”.

NATO-ja filloi të rrisë praninë e saj në Evropën Lindore pas aneksimit të paligjshëm nga Rusia të Gadishullit të Krimesë të Ukrainës në vitin 2014. Në atë vit Kremlini filloi gjithashtu mbështetjen për separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore, një politikë të cilën e ka vazhduar gjatë tetë viteve të fundit.

SHBA-ja dërgoi këtë javë tri dërgesa me ndihmë ushtarake në Ukrainë që përfshinin antitankun Javelin dhe armatime të tjera antitank, si dhe 283 tonë municione dhe pajisje jovdekjeprurëse, të cilat Blinken tha se janë “thelbësore” për forcat e armatosura të Ukrainës.

“Më shumë dërgesa priten në ditët në vijim”, shtoi ai.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.