Bota

SHBA pezullon fondet e kërkimit për Universitetin e Kalifornisë për shkak të pretendimeve për antisemitizëm

- Qeveria federale e SHBA-së vazhdon të ushtrojë presion mbi universitetet në të gjithë vendin për shkak të protestave të mbajtura në kampuse në mbështetje të Palestinës.

Zeynep Katre Oran  | 01.08.2025 - Përdıtësım : 01.08.2025
SHBA pezullon fondet e kërkimit për Universitetin e Kalifornisë për shkak të pretendimeve për antisemitizëm

Ankara

ANKARA (AA) - Universiteti i Kalifornisë (UCLA) njoftoi se qeveria federale ka vendosur të ndërpresë disa nga fondet e saj të kërkimit, duke treguar si arsyetim "pretendimet për antisemitizëm" në kampus, transmeton Anadolu.

Qeveria federale e SHBA-së vazhdon të ushtrojë presion mbi universitetet në të gjithë vendin për shkak të protestave të mbajtura në kampuse në mbështetje të Palestinës.

Rektori i UCLA-së, Julio Frenk, në një deklaratë që postoi në faqen e internetit të universitetit tha se kanë marrë njoftim zyrtar nga qeveria federale se janë pezulluar disa fonde kërkimore të ofruara ndaj universitetit përmes Fondacionit Kombëtar të Shkencës, Instituteve Kombëtare të Shëndetit dhe agjencive të tjera.

Ai tha se qeveria federale ka treguar pretendime për antisemitizëm në kampus si arsye për ndërprerjen e fondeve. "Në letrën zyrtare që morëm, qeveria federale paraqet si arsye pretendimet për antisemitizëm dhe paragjykim. Një sanksion gjithëpërfshirës siç është ndërprerja e fondeve të kërkimit nuk bën asgjë për të eliminuar diskriminimin e pretenduar", theksoi Frenk.

Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së në deklaratën e tij më 30 korrik pretendoi se universiteti shkeli Aktin e të Drejtave Civile duke qëndruar "me qëllim indiferent" lidhur me sulmet ndaj studentëve izraelitë dhe hebrenj.

Deklarata, e cila citon gjithashtu deklaratat e Prokurores së përgjithshme Pam Bondi, vuri në dukje se Departamenti i Drejtësisë do ta "detyronte Universitetin e Kalifornisë të paguante një çmim të rëndë për rrezikimin e hebrenjve amerikanë" dhe se hetimet kundër kampuseve të universitetit do të vazhdojnë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.