SHBA ofron deri në 10 milionë dollarë shpërblim për informacione mbi liderët iranianë
Njoftimi tha se individët e synuar “komandojnë dhe drejtojnë elementë të ndryshëm” të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të cilën Washingtoni e akuzon për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve në mbarë botën
Washington
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar një shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacione që çojnë në identifikimin ose vendndodhjen e liderëve kyç të Iranit, përfshirë liderin e ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, transmeton Anadolu.
Njoftimi, i publikuar nga programi ‘Shpërblime për Drejtësi’ i departamentit amerikan, tha se individët e synuar “komandojnë dhe drejtojnë elementë të ndryshëm” të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), të cilën Washingtoni e akuzon për planifikimin dhe kryerjen e sulmeve në mbarë botën.
Ndër personat e listuar në njoftim janë Mojtaba Khamenei, zv/shefi i stafit në zyrën e liderit suprem, Ali Asghar Hejazi dhe këshilltari i lartë ushtarak i liderit suprem, Yahya Rahim Safavi.
Më herët gjatë ditës, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha se lideri i sapoemëruar suprem i Iranit është i “plagosur” dhe “me gjasë i shpërfytyruar”, ndërsa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ndaj vendit.
Tensionet në mbarë Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar që kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një sulm të përbashkët ndaj Iranit më 28 shkurt, duke vrarë deri tani rreth 1.300 persona, përfshirë liderin e atëhershëm suprem, Ali Khamenei.
Teherani u kundërpërgjigj me sulme me dronë dhe raketa që shënjestruan Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën civile, si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
