SHBA nënshkruan marrëveshje bërthamore me Sllovakinë dhe Hungarinë për sigurinë energjetike
Marrëveshjet përbëjnë hapa konkretë drejt vendosjes së sistemeve amerikane të energjisë bërthamore për të avancuar "interesat e ndërsjella të sigurisë në rajon"
Stamboll
SHBA-ja ka nënshkruar marrëveshje civile bërthamore me Sllovakinë dhe Hungarinë gjatë vizitës së sekretarit të Shtetit, Marco Rubio në Evropën Qendrore, duke hapur rrugën për centrale bërthamore që përdorin teknologji amerikane, transmeton Anadolu.
Departamenti i Shtetit në përmbledhjen e publikuar pas vizitave të sekretarit Rubio në Bratisllavë dhe Budapest tha se marrëveshjet përbëjnë hapa konkret drejt vendosjes së sistemeve amerikane të energjisë bërthamore për të avancuar "interesat e ndërsjella të sigurisë në rajon".
"Këto njoftime hapin rrugën për përmirësimin e sigurisë energjetike të rajonit, rritjen e fuqisë industriale dhe përmbushjen e objektivave të konkurrueshmërisë teknologjike në zhvillim, si furnizimi dhe shfrytëzimi i inteligjencës artificiale", tha departamenti amerikan.
Në Sllovaki, Washingtoni do të sigurojë financim për të nisur punimet paraprake të para-ndërtimit për një reaktor të madh të ri Westinghouse, në kuadër të Programit të Infrastrukturës Themelore për Përdorim të Përgjegjshëm të Teknologjisë së Reaktorëve të Vogël Modular të departamentit, i cili ndihmon vendet të zhvillojnë programe të sigurta të energjisë bërthamore.
Në Budapest, Rubio nënshkroi Marrëveshjen Ndërqeveritare Civile Bërthamore SHBA-Hungari, e cila synon "dekada bashkëpunimi në energjinë bërthamore" dhe ta bëjë Hungarinë një qendër për zhvillimin rajonal të reaktorëve modular të vegjël.
Sipas departamentit, marrëveshjet përfaqësojnë mbi 15 miliardë dollarë mundësi biznesi për furnitorët amerikanë dhe mijëra vende pune në SHBA. Departamenti shtoi se Washingtoni mbetet i përkushtuar për të mbështetur objektivat e sigurisë kombëtare të aleatëve përmes teknologjive inovative bërthamore.
