Bota

SHBA, në Maryland shpallet gjendje e jashtëzakonshme pas rrëzimit të urës

"Pas shembjes së urës Francis Scott Key, dy persona u tërhoqën nga lumi Patapsco dhe njëri u transferua në një qendër lokale të traumës në gjendje shumë të rëndë", tha James Wallace, shefi i policisë së qytetit

Seda Sevencan, Beyza Binnur Dönmez  | 26.03.2024 - Përdıtësım : 26.03.2024
SHBA, në Maryland shpallet gjendje e jashtëzakonshme pas rrëzimit të urës

Istanbul

Një urë kryesore në Baltimore, qyteti më i madh në shtetin amerikan Maryland, u shemb në orët e hershme kur u godit nga një anije mallrash, duke bërë që automjetet të binin në ujë, transmeton Anadolu.

"Pas shembjes së urës Francis Scott Key, dy persona u tërhoqën nga lumi Patapsco dhe njëri u transferua në një qendër lokale të traumës në gjendje shumë të rëndë", tha James Wallace, shefi i policisë së qytetit.

Wallace tha në një konferencë për media se ekipet po kërkojnë "më shumë se shtatë individë" dhe se është zbuluar prania e automjeteve në ujë.

Kevin Cartwright, zëdhënës i Departamentit të Zjarrfikësve të Qytetit Baltimore, tha: "Ne jemi duke u përballur me një incident me viktima, ku janë angazhuar më shumë institucione".

Cartwright tha se operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, duke përfshirë një ekip zhytësish, janë duke u zhvilluar me ndihmën e Rojës Bregdetare të SHBA-së.

Synergy Marine Corp, e cila zotëron dhe menaxhon anijen Dali me flamurin e Singaporit, tha se anija goditi një shtyllë të urës rreth orës 01:30 pas mesnate.

"Të gjithë anëtarët e ekuipazhit, përfshirë dy drejtuesit, janë regjistruar dhe nuk ka raportime për ndonjë lëndim. Gjithashtu, nuk ka pasur ndotje", thuhet në një deklaratë.

Trafiku po devijohet nga ura, e cila ishte pjesë e sistemit të autostradave ndërshtetërore 695.

- Shpallet gjendje e jashtëzakonshme

Guvernatori i Maryland-it, Wes Moore, tha në X se ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në shtet dhe se "po punojmë me një ekip ndërinstitucional për të vënë në përdorim shpejt burimet federale nga Administrata Biden".

"Ne jemi mirënjohës për burrat dhe gratë e guximshme që po bëjnë përpjekje për të shpëtuar të përfshirët dhe lutemi për sigurinë e të gjithëve", shtoi ai.

Ndërkohë, komisioneri i policisë, Richard Worley, tha: "Nuk ka absolutisht asnjë tregues se ka ndonjë terrorizëm, se kjo është bërë me qëllim".

Sekretari amerikan i Transportit, Pete Buttigieg, tha në X se ka biseduar me Moore dhe Brandon M. Scott, kryetarin e bashkisë së qytetit.

"Përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë dhe shoferët në zonën Baltimore duhet të ndjekin udhëzimet për devijimet", shtoi ai.

Baltimore, një qytet historik me një port detar në Bregun Lindor të SHBA-së, shtrihet rreth 64 kilometra në verilindje të Washington-it, kryeqytetit të vendit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.