Bota

SHBA, një person i maskuar qëllon me armë ndaj imamit në Utah jashtë shtëpisë së tij

Nuk raportohet për të plagosur ndërsa policia është në kërkim të të dyshuarit

Ahmet Salih Alacaci  | 25.02.2026 - Përdıtësım : 25.02.2026
SHBA, një person i maskuar qëllon me armë ndaj imamit në Utah jashtë shtëpisë së tij

Washington

Një person i armatosur i maskuar qëlloi disa herë me armë zjarri drejt një imami jashtë shtëpisë së tij në Utah të SHBA-së gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, transmeton Anadolu.

Objektivi i sulmit të së hënës në mbrëmje në periferi të Salt Lake City ishte Shuaib Din, një imam që drejton Qendrën Islamike të Utah, xhaminë më të madhe të shtetit.

Ai nuk u lëndua, megjithëse automjeti i tij u godit disa herë, raportoi "The Salt Lake Tribune", duke cituar policinë.

Shuaib Din i tha gazetës se një person kishte qenë ulur në një makinë jashtë shtëpisë së tij përpara se të hapte zjarr ndërsa po largohej për të marrë pjesë në namazin e mbrëmjes.

"Ai e njihte shtëpinë time, e njihte makinën time, e njihte orarin tim", tha Din.

Din tha se kishte çelur iftarin me familjen e tij në shtëpi, rreth dy minuta larg xhamisë. Ndërsa doli nga garazhi i tij, personi i armatosur, i veshur me maskë dhe bluzë me kapuç, doli nga një automjet dhe qëlloi disa herë përpara se të ikte, tha ai.

Pasi telefonoi 911, Din tha se u përpoq të merrte numrin e targës së të dyshuarit. Ai tha se personi i armatosur u kthye, u afrua pranë automjetit të Dinit dhe qëlloi të paktën tetë herë të tjera me armë zjarri.

Plumbat goditën ulëset e përparme dhe të pasme dhe xhamin e përparmë, tha Dini. Ai u përpoq ta ndiqte të dyshuarin, por më vonë e braktisi përpjekjen.

Policia tha se asnjë i dyshuar nuk është arrestuar, sipas raportit.

Policia më vonë publikoi imazhe të asaj që ata besojnë se është automjeti i të dyshuarit, i përshkruar si një makinë e bardhë pasagjerësh.

Në një deklaratë, Qendra Islamike e Utahut falënderoi forcat e rendit dhe i kërkoi publikut të shmangte spekulimet, duke shtuar se masa të shtuara sigurie do të zbatohen në xhami.

Kryetarja e bashkisë së Sandy-t, Monica Zoltanski tha se zyrtarët e qytetit ishin "thellësisht të shqetësuar" nga incidenti.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın