SHBA, ligjvënës dhe grupe të të drejtave të njeriut dënojnë ndalimin e imigracionit nga 19 vende
Ligjvënës dhe organizata të të drejtave të njeriut në SHBA kritikuan vendimin e administratës së Trumpit për të ndaluar përpunimin e kërkesave për imigracionin dhe azilin për shtetasit e 19 vendeve
Stamboll
Ligjvënësit dhe organizatat e të drejtave të njeriut në SHBA kritikuan vendimin e administratës së Trumpit për të ndaluar përpunimin e kërkesave për imigracionin dhe azilin për shtetasit e 19 vendeve që tashmë i nënshtrohen kufizimeve të udhëtimit, duke thënë se ky veprim do të thellojë pasigurinë për mijëra njerëz, transmeton Anadolu.
Vendimi urdhëron ndërprerje të menjëhershme të të gjitha gjykimeve për azil dhe një rishikim të ripërtërirë të sigurisë për individët nga vendet me "rrezik të lartë" që hynë në SHBA pas janarit 2021. Vendet e prekura përfshijnë Afganistanin, Iranin, Somalinë, Sudanin, Venezuelën dhe Jemenin, si dhe shtete të tjera me ndalime të plota ose të pjesshme udhëtimi.
Politika erdhi disa ditë pas një të shtëne në Washington DC, që la të vdekur një anëtar të Gardës Kombëtare. I dyshuari, një shtetas afgan që mbërriti në vitin 2021 dhe iu dha azil në fillim të këtij viti, ka nxitur debat mbi procedurat e verifikimit. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se administrata po e përdor incidentin si justifikim politik për kufizime të gjera që synojnë të gjithë popullsitë.
Organizata "Human Rights Watch" i tha "Guardian"-it se masa "bën kurban kombësi të tëra", duke paralajmëruar se: "Ky ndryshim rrënjësor nuk ka të bëjë me sigurinë; ka të bëjë me bërjen kurban të kombësive të tëra për veprimet e një individi. Kjo politikë do të ndajë familjet, do të rrezikojë njerëzit që ikin nga persekutimi dhe do të dëmtojë më tej besueshmërinë e SHBA-së mbi të drejtat e njeriut".
Qendra Kombëtare e Drejtësisë për Imigrantët tha se ndalimi ka të ngjarë të pezullojë rastet e mijëra aplikantëve. "Këto veprime do të vënë në harresë individë dhe familje të panumërta dhe do të rrezikojnë të drejtën e tyre për proces të rregullt ligjor dhe mbrojtje sipas ligjit amerikan dhe atij ndërkombëtar", tha ajo.
CAIR i kërkoi Kongresit të hapë hetime zyrtare, duke e përshkruar politikën si një "zgjerim të politizuar" të kontrolleve të imigracionit. "Ndëshkimi i kombësive të tëra për veprimet e disa njerëzve është joefektiv, diskriminues dhe moralisht i pambrojtshëm", tha drejtori i organizatës.
Ligjvënësit dënuan edhe retorikën e fundit të administratës, pasi presidenti Trump veçoi migrantët somalezë në fjalimet publike. Përfaqësuesja e Minesotës, Ihan Omar i etiketoi komentet si raciste dhe islamofobike ndërsa sekretari i Shtetit i Minesotës, Steve Simon i quajti ato "të turpshme, të shëmtuara dhe jo-amerikane".
