SHBA, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve paralajmëron për mbylljen më të gjatë të qeverisë
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Johnson paralajmëroi se nëse demokratët nuk arrijnë të miratojnë buxhetin e duhur, kjo mund të jetë një nga mbylljet më të gjata të qeverisë në histori

Washington
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson paralajmëroi se nëse demokratët nuk arrijnë të miratojnë buxhetin e duhur, kjo mund të jetë një nga mbylljet më të gjata të qeverisë në histori, transmeton Anadolu.
Duke ia lënë përgjegjësinë për situatën aktuale demokratëve, Johnson tha: "Nëse demokratët nuk i lënë mënjanë kërkesat e partisë dhe nuk pranojnë buxhet të pastër dhe pa kushte që rihap qeverinë dhe paguan punonjësit federalë, ne po shkojmë drejt një prej mbylljeve më të gjata të qeverisë në historinë amerikane".
Johnson tha se republikanët janë të hapur për negociata, por do ta bëjnë këtë në kushte transparente.
- Mbyllja e qeverisë më 1 tetor
Viti fiskal 2025 përfundoi në SHBA në mesnatë të martën, më 30 shtator, dhe qeveria federale u mbyll para fillimit të vitit të ri fiskal për shkak të dështimit të Kongresit për të miratuar një projektligj të përkohshëm buxhetor.
Dështimi i Kongresit për të miratuar një projektligj të përkohshëm buxhetor që do të mbante agjencitë federale në funksionim çoi në mbylljen e parë të qeverisë që nga viti 2019.
Demokratët po kërkojnë zgjatje të subvencioneve të sigurimeve shëndetësore dhe tërheqje të shkurtimeve të "Medicaid", por po refuzojnë të mbështesin projektligjin republikan.
- Çfarë do të thotë mbyllja e qeverisë federale?
Sipas ligjit amerikan, nëse Kongresi nuk arrin të miratojë buxhetin për vitin fiskal që fillon më 1 tetor dhe përfundon më 30 shtator, pauza duhet të mbulohet nga buxhetet e përkohshme.
Gjatë periudhave kur buxheti i përkohshëm nuk miratohet, qeveria federale humbet autoritetin e saj të shpenzimeve dhe pezullon të gjitha aktivitetet përveç shërbimeve thelbësore.
Gjatë kësaj periudhe, punonjësit publikë që punojnë në shërbime jo-thelbësore janë të pezulluar ndërsa personeli në ushtrinë amerikane, agjencitë e inteligjencës, spitalet publike, aeroportet dhe burgjet vazhdojnë të punojnë.
Këta punonjës, të klasifikuar si "personel thelbësor", zakonisht nuk mund të marrin pagat e tyre gjatë mbylljeve derisa Kongresi të miratojë buxhetin e ri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.