SHBA, këputet pjesërisht kapaku në krahun e një avioni gjatë fluturimit
Asnjë nga 62 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bord nuk u lëndua gjatë uljes. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur një hetim për incidentin

Ankara
Kapaku në krahun e një avioni Boeing 737 u këput pjesërisht para uljes në Teksas të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të CNN, kapaku në krahun e avionit u këput pjesërisht para uljes në Teksas më 19 gusht në avionin Boeing 737 me numër udhëtimi 1893 i Delta Air Lines, gjatë fluturimit nga Aeroporti Ndërkombëtar i Orlandos në Aeroportin Ndërkombëtar Austin-Bergstrom.
Asnjë nga 62 pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit në bord nuk u lëndua gjatë uljes. Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur një hetim për incidentin.
Në një deklaratë nga Delta Air Lines thuhet se avioni që iu këput pjesërisht kapaku në krahun e majtë , u "nxor jashtë shërbimit për mirëmbajtje".
Në pamjen e regjistruar nga Shanila Arif, një nga pasagjerët në bord, vërehet kapaku që varet nga pjesa e pasme e krahut ndërsa avioni ndodhej në ajër.
Kapakët janë pjesë të lëvizshme të vendosura në pjesën e pasme të krahëve të avionit dhe rrisin fuqinë mbajtëse të avionit gjatë ngritjes dhe uljes.