SHBA "jozyrtarisht" kërkon bateri nga Polonia për sistemin "Patriot" në mes të luftës me Iranin
Polonia ka marrë një kërkesë "jozyrtare" nga SHBA-ja për të shqyrtuar huazimin e përkohshëm të njërës prej dy baterive të saj të mbrojtjes ajrore "Patriot" për vendosje në Lindjen e Mesme
Varshavë
Polonia ka marrë një kërkesë "jozyrtare" nga SHBA-ja për të shqyrtuar huazimin e përkohshëm të njërës prej dy baterive të saj të mbrojtjes ajrore "Patriot" për vendosje në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.
Siç raporton e përditshmja "Rzeczpospolita" Washingtoni nuk ka paraqitur kërkesë zyrtare, por i është drejtuar Varshavës në mënyrë jozyrtare mes shqetësimit në rritje për situatën e sigurisë në Lindjen e Mesme dhe nevojën për të mbrojtur forcat dhe aleatët amerikanë atje.
Nuk është marrë asnjë vendim dhe çdo veprim do të ishte politikisht dhe ushtarakisht i ndjeshëm sepse Polonia aktualisht ka vetëm dy bateri operative "Patriot", shkruan gazeta e cila citon zyrtarë polakë të paidentifikuar.
Për Poloninë, huazimi i një baterie do të nënkuptonte humbjen e përkohshme të gjysmës së aftësive të saj aktuale "Patriot". Varshava ka argumentuar vazhdimisht se si shteti më i madh lindor i NATO-s që kufizohet me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, nuk mund ta zvogëlojë mbrojtjen e vet ajrore.
Vitin e kaluar, zyrtarët polakë mohuan se sistemet "Patriot" të Polonisë mund të transferoheshin diku tjetër, duke thënë se: "Patriotët polakë mbrojnë qiellin polak".
Çështja është veçanërisht e ndjeshme sepse Polonia vetëm kohët e fundit ka filluar të zhvillojë rrjetin e saj të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme veprimi në kuadër të programit "Wisla".
Vendi aktualisht operon dy bateri "Patriot" të blera nga SHBA-ja dhe ka porositur gjashtë të tjera, por ato nuk pritet të mbërrijnë deri në fund të kësaj dekade. Polonia po kërkon gjithashtu të blejë rreth 800 raketa shtesë PAC-2 GEM-T, megjithëse dërgesat mund të vonohen për shkak të kërkesës në rritje globale të lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme.
Raporti vjen ndërsa kërkesa për sistemet "Patriot" është rritur ndjeshëm për shkak të konfliktit që përfshin Iranin dhe Izraelin dhe grumbullimit më të gjerë të ushtrisë amerikane në rajon. Bateritë "Patriot" përdoren për t'u mbrojtur kundër avionëve, dronëve dhe raketave balistike dhe janë veçanërisht të pakta në nivel global sepse ato janë të vendosura edhe në Ukrainë, Arabinë Saudite dhe gjetkë në Lindjen e Mesme.
Qasja e raportuar amerikane duket se nënvizon presionin në rritje mbi rezervat e mbrojtjes ajrore "Patriot" të Washingtonit.
SHBA-ja tashmë i ka ridrejtuar interceptorët dhe sistemet e mbrojtjes ajrore në Lindjen e Mesme dhe i kanë paralajmëruar aleatët se konflikti rajonal afatgjatë mund të ndikojë në dërgesat e armëve si në Ukrainë ashtu edhe në shtetet evropiane si Polonia.
