SHBA-ja sekuestron anijen cisternë të naftës të ankoruar për herë të fundit në Venezuelë
Venezuela e ka quajtur këtë veprim "vjedhje dhe rrëmbim", dike theksuar se "këto akte nuk do të mbeten pa u ndëshkuar".
Stamboll
Shtetet e Bashkuara kanë sekuestruar të shtunën një cisternë nafte që ishte ankoruar së fundmi në Venezuelë, njoftoi shefja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, transmeton Anadolu.
Roja Bregdetare e SHBA-së e sekuestroi anijen para agimit me mbështetjen e Pentagonit, shkroi Kristi Noem në platformën sociale amerikane X.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ndjekin lëvizjen e paligjshme të naftës së sanksionuar që përdoret për të financuar narkoterrorizmin në rajon”, tha ajo.
Do t’ju gjejmë dhe do t’ju ndalojmë,” shtoi Noem.
Zyrtarët venezuelas reaguan me një deklaratë duke e kundërshtuar atë që e quajtën “vjedhje dhe rrëmbim” të cisternës së naftës nga SHBA-ja.
“Këto akte nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Venezuela do të ndërmarrë të gjitha veprimet përkatëse, përfshirë paraqitjen e një ankese në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në organizata të tjera shumëpalëshe.
Ky zhvillim vjen mes tensioneve të shtuara mes Washingtonit dhe Karakasit.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur një “bllokadë totale dhe të plotë” ndaj cisternave të naftës së sanksionuar që hyjnë ose dalin nga Venezuela.
Përplasja u përshkallëzua më 10 dhjetor, kur forcat amerikane sekuestruan një cisternë nafte të sanksionuar pranë brigjeve të Venezuelës, veprim që Karakasi e dënoi si “pirateri ndërkombëtare”.
Washingtoni ka deklaruar se masat synojnë luftimin e korrupsionit dhe trafikut të drogës, ndërsa Karakasi akuzon SHBA-në se po përdor përpjekjet kundër narkotikëve si pretekst për të rrëzuar nga pushteti presidentin Nicolas Maduro dhe për të marrë kontrollin mbi burimet e naftës së Venezuelës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
