Bota

SHBA-ja planifikon të bëjë presion mbi Izraelin që t'i japë fund luftës në Gaza

Vizita e ministri izraelit Ron Dermer në Washington synon të sjellë në të njëjtën linjë SHBA-në dhe Izraelin përpara negociatave për armëpushim, thonë mediat izraelite

Faruk Hanedar  | 30.06.2025 - Përdıtësım : 30.06.2025
SHBA-ja planifikon të bëjë presion mbi Izraelin që t'i japë fund luftës në Gaza

Kuds/Stamboll

Ministri izraelit i Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, i cili po qëndron për vizitë në SHBA, pritet të përballet me presion për të arritur armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbim të burgosurish në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Gazeta izraelite "Times of Israel" citoi burime të cilat thanë se pikat e mbetura penguese në arritjen e armëpushimit përfshijnë kërkesën e grupit palestinez Hamas për një përfundim të përhershëm të luftës, në krahasim me përpjekjet e Izraelit për të siguruar armëpushim të përkohshëm që lë të hapur mundësinë që ai të rifillojë luftimet.

Ata thanë se Hamasi po kërkon kthim në mekanizmat e vjetër për shpërndarjen e ndihmës humanitare ose krijimin e një sistemi të ri për të zëvendësuar atë aktual të menaxhuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), propozim i mbështetur nga ndërmjetës arabë.

Izraeli thotë se GHF, një mekanizëm privat i mbështetur nga Izraeli dhe SHBA-ja, është thelbësor në parandalimin e devijimit të ndihmës nga Hamasi, por i ka detyruar banorët e Gazës të ecin rrugë të gjatë për të marrë ushqim ndërsa kalojnë edhe linjat e ushtrisë izraelite, duke u përballur me zjarr vdekjeprurës pothuajse çdo ditë, raporton gazeta "Times of Israel".

Gazeta izraelite "Haaretz", duke cituar zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë tha se zyrtarë të lartë nga ekipi i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të ushtrojnë presion ndaj ministrit izraelit Dermer që të arrijë marrëveshje mbi "përfundimin e sulmeve ndaj Rripit të Gazës dhe kthimin e të burgosurve të mbetur".

Gjithashtu thuhet se zyrtarët amerikanë do t'i thonë Dermerit se këmbëngulja e Izraelit për "eliminimin e Hamasit" do të lihej për të ardhmen.

E përditshmja "Yedioth Ahronoth" njoftoi se deklarata e fundit e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu se shpëtimi i pengjeve izraelite në Gaza ishte bërë fokus kryesor në vend që të përsëriste qëllimin e tij për "eliminimin e Hamasit", tregon një ndryshim në prioritetet e tij.

Kanali 12, duke cituar burime izraelite, raportoi se ushtria i ka kërkuar qeverisë të përcaktojë hapin tjetër në luftë. Në lajm thuhet se hapi tjetër mund të jetë ose përfundimi i kontrollit mbi Rripin e Gazës ose arritja e një marrëveshjeje për shkëmbimin e të burgosurve dhe pretendoi se ushtria preferon opsionin e dytë.

Më tej theksohet se udhëtimi i Dermerit ishte planifikuar në përgatitje për vizitën e Netanyahut në Washington, që pritet të zhvillohet në dy javët e ardhshme dhe se SHBA-ja dëshiron që një marrëveshje të arrihet para udhëtimit të Netanyahut.

Kanali 13 raportoi se ushtria kishte informuar qeverinë se nuk kishte asnjë objektiv të rëndësishëm të mbetur në Gaza që mund të arrihej pa rrezikuar jetën e pengjeve të mbetura pas gati 19 muajsh sulmesh tokësore.

Trump, i cili njoftoi fundin e konfliktit Izrael-Iran më 23 qershor me një armëpushim që filloi më 24 qershor pas 12 ditësh luftimesh, publikoi një mesazh ku thuhej: "Bëni një marrëveshje në Gaza, sillni pengjet (izraelite)", i cili u interpretua si një mesazh për Netanyahun.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın