SHBA-ja heton kompaninë Nike mbi pretendimet për diskriminim ndaj punonjësve të bardhë
EEOC po shqyrton nëse kompania është përfshirë në një model ose praktikë të trajtimit të ndryshëm ndaj punonjësve të bardhë, aplikantëve dhe pjesëmarrësve në programe
Stamboll
Komisioni i SHBA-së për Mundësi të Barabarta në Punësim (EEOC) tha të mërkurën se ka hapur një hetim ndaj kompanisë Nike lidhur me akuzat se kompania diskriminoi punonjësit e bardhë dhe aplikantët për punë, transmeton Anadolu.
Agjencia ka kërkuar që Nike të ofrojë informacion në lidhje me akuzat, duke përfshirë objektivat e saj të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI) për vitin 2025 dhe objektiva të tjera të lidhura.
Komisioni po shqyrton nëse kompania është përfshirë në një model ose praktikë të trajtimit të ndryshëm ndaj punonjësve të bardhë, aplikantëve dhe pjesëmarrësve në programe në vendimet e punësimit, ngritjes në detyrë, uljes në detyrë ose ndarjes nga puna, si dhe në stazhet dhe programet e zhvillimit të karrierës.
EEOC lëshoi një kërkesë ligjore duke kërkuar të dhënat e kompanisë Nike që datojnë që nga viti 2018, duke përfshirë dokumente mbi kriteret e pushimit nga puna, përdorimin e të dhënave të racës dhe etnisë së punonjësve, dhe disa programe mentorimi dhe zhvillimi të karrierës. Ajo gjithashtu ngriti një padi zbatimi në gjykatën federale pasi kompania nuk arriti të ofrojë të gjithë informacionin e kërkuar.
"Ne kemi pasur pjesëmarrje të gjerë dhe me mirëbesim në një hetim të EEOC-ut mbi praktikat, programet dhe vendimet tona të personelit dhe kemi pasur përpjekje të vazhdueshme për të ofruar informacion dhe për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive me agjencinë", tha një zëdhënës i kompanisë Nike në një deklaratë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
