SHBA: Izraeli mund të aneksojë Bregun Perëndimor për shkak të njohjes së shtetit palestinez nga vendet evropiane
Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee tha se "SHBA-ja po bën presion aktiv mbi vendet evropiane kundër njohjes së shtetit palestinez"

Kuds
Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee deklaroi se njohja e shtetit palestinez nga vendet evropiane mund ta shtyjë Izraelin të aneksojë pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Transmetuesi publik i Izraelit, KAN, citoi Huckabee të ketë thënë se "SHBA-ja po ushtron presion aktiv mbi vendet evropiane kundër njohjes së shtetit palestinez".
"Çdo njohje evropiane e një shteti palestinez do ta shtynte Izraelin të shpallte sovranitet mbi pjesë të Bregut Perëndimor", tha ai duke shtuar se një veprim i tillë do të përbënte shkelje të Marrëveshjeve të Oslos midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez.
Huckabee e përshkroi aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar si "potencialisht duke minuar marrëveshjet ekzistuese dhe duke ndërlikuar negociatat mbi pengjet". Në më pak se një vit, katër vende evropiane: Norvegjia, Irlanda, Spanja dhe Sllovenia e kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez.
Disa vende, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Maltën, Kanadanë dhe Portugalinë, kanë njoftuar gjithashtu njohjen e shtetit palestinez në takimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York në shtator.
Të mërkurën, Izraeli dha miratimin përfundimtar për një projekt shumë të kontestuar të vendbanimeve "E1" që do të ndante Bregun Perëndimor të pushtuar dhe do të izolonte Kudsin Lindor.
Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, i konsideron vendbanimet izraelite të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Njohja evropiane vjen ndërsa Izraeli ka vazhduar sulmet brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë gati 62.200 palestinezë që nga tetori i vitit 2023.