SHBA, i pandehuri sulmon gjyqtaren në Las Vegas gjatë seancës
Gjyqtarja Holthus pësoi disa lëndime dhe gjendja e saj po monitorohet, ndërsa gjatë sulmit u plagos edhe një polic i sallës së gjyqit, i cili u dërgua për mjekim në spital

Istanbul
Një gjykatëse në shtetin perëndimor Nevada të SHBA-së u sulmua dhe u plagos gjatë procedurës gjyqësore në Las Vegas të mërkurën kur i pandehuri u hodh mbi stol, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu.
Në sulmin e të pandehurit mbeti e plagosur gjyqtarja e Gjykatës së Qarkut të Tetë Gjyqësor May Kay Holthus, njoftoi "Nevada State News".
"Deobra Redden ishte i pranishëm në një seancë dëgjimore mëngjesin e sotëm, në lidhje me akuzën e tentativës për dëmtime të konsiderueshme trupore. Gjatë seancës, Redden sulmoi gjyqtaren Mary Kay Holthus", raportoi e përditshmja, duke cituar një oficer të informimit publik të gjykatës.
Gjyqtarja Holthus pësoi disa lëndime dhe gjendja e saj po monitorohet, ndërsa gjatë sulmit u plagos edhe një polic i sallës së gjyqit, i cili u dërgua për mjekim në spital.
Incidenti u regjistrua nga kamerat në sallën e gjyqit, të cilën gjyqtarët e Nevada-s e publikuan shpejt.
Sipas "Las Vegas Review-Journal", i pandehuri 30-vjeçar, Deobra Redden, me një histori arresti që nga viti 2011, është dënuar për 3 vepra penale, përfshirë tentativë për vjedhje në vitin 2015, tentim shkaktimi të dëmtimit të konsiderueshëm trupor në vitin 2018, akuzë për dhunë në familje në vitin 2021 dhe 2 kundërvajtje, përfshirë akuzën për rrahje në vitin 2016 dhe shkatërrim të pronës në 2023.