Bota

SHBA, humbin jetën dy nga katër personat e goditur nga rrufeja pranë Shtëpisë së Bardhë

Sipas policisë amerikane, dy viktimat e tjera mbeten në gjendje kritike

Ekip  | 05.08.2022 - Përdıtësım : 09.08.2022
SHBA, humbin jetën dy nga katër personat e goditur nga rrufeja pranë Shtëpisë së Bardhë

Washington

Dy nga katër personat që u dërguan në spital me lëndime kritike pas një goditjeje rrufeje pranë Shtëpisë së Bardhë kanë vdekur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia amerikane njoftoi se James Mueller, 76 vjeç dhe Donna Mueller, 75, të dy nga Janesville, Wisconsin, vdiqën pasi u goditën nga rrufeja të enjten në mbrëmje në Lafayette Park, që ndodhet përballë rezidencës ekzekutive.

Sipas policisë, dy viktimat e tjera mbeten në gjendje kritike.

Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë duke ofruar ngushëllime për "humbjen e jetës pas goditjes së rrufesë në Lafayette Park", me ç'rast zëdhënësja Karine Jean-Pierre tha: "Zemrat tona janë me familjet që humbën të dashurit dhe ne po lutemi për ata që ende luftojnë për jetën e tyre”.

Katër personat e goditur, dy burra dhe dy gra, u gjetën pa ndjenja në vendngjarje dhe u dërguan në spital me lëndime të rrezikshme për jetën. Oficerët e Shërbimit Sekret dhe Policisë së Parkut Amerikan në zonë panë se goditja ndodhi dhe menjëherë filluan të ofrojnë ndihmë.

Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) kishte lëshuar paralajmërim për stuhi të forta për zonën DC mbrëmjen e së enjtes.

Departamenti i zjarrfikësve në Washington, paralajmëroi për një "probabilitet të lartë" të stuhive të tjera të forta të premten, duke u kërkuar njerëzve të qëndrojnë në ambiente të mbyllura nëse dëgjojnë bubullima.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın