SHBA, forcat ajrore paralajmërojnë kundër mësymjes në bazën Area 51
Aktualisht 1,3 milionë përdorues të Facebookut bëjnë me dije se janë të interesuar për ngjarjen e caktuar më 20 shtator

Washington
Më shumë se 1,7 milionë njerëz i janë bashkangjitur ngjarjes në Facebook e cila bëri thirrje për mësymje drejt bazës ushtarake sekrete Area 51 në Nevada të SHBA-ve duke shkaktuar një paralajmërim nga forcat ajrore amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).
Ngjarja e propozuar, e quajtur "T'ia mësyjmë Area 51, ata nuk mund të na ndalin të gjithëve", është caktuar për më 20 shtator.
"Ne të gjithë do të takohemi tek atraksioni turistik Qendra e Jashtëtokësorëve Area 51 dhe do të koordinojmë hyrjen tonë", thuhen në faqen ku është caktuar eventi. "Nëse vrapojmë 'Naruto', ne mund të lëvizim më shpejtë se plumbat e tyre. Ejani t'i shohim ata jashtëtokësorë".
“Naruto" i referohet mënyrës së vrapimit të karakterit të animuar japonez Naruto Uzumaki.
Aktualisht, rreth 1,3 milionë të tjerë bëjnë me dije se janë të interesuar.
Zëdhënësja e forcave ajrore, Laura McAndrews, për ABC News tha se zyrtarët ishin në dijeni të ngjarjes.
"Hapësira për testime dhe trajnimi i Nevadës është një zonë ku forcat ajrore testojnë dhe trajnojnë avionë luftarakë. Si praktikë, ne nuk diskutojmë masa specifike të sigurisë, por çdo përpjekje për të pasur qasje në mënyrë të paligjshme në instalimet ushtarake apo në fushat e trajnimit ushtarak është e rrezikshme", tha ajo në një deklaratë.
Teoricientët e konspiracionit besojnë se qeveria e SHBA-ve përdor bazën për të fshehur jashtëtokësorët dhe anijen e tyre të hapësirës.
BBC raportoi se teoritë filluan në vitin 1989 kur një njeri me emrin Bob Lazar deklaroi në një intervistë se ai ishte një fizicient i cili kishte punuar në Area 51.
"Lazari tha se kishte punuar në çmontimin e UFO-ve dhe kishte lexuar dokumente qeveritare që përshkruanin përfshirjen e jashtëtokësorëve në jetën në tokë", thuhet në raport.
Baza ushtarake zë 1.17 milionë hektarë tokë (2,9 milionë akra) dhe rreth 8.000 kilometra katrorë (5.000 milje) të hapësirës ajrore është e ndaluar për fluturimet civile.
Javën e kaluar, McAndrews për "Washington Post" tha se forcat ajrore i kundërvihen çdokujt që tenton të hyjë në zonë.
"Forcat ajrore amerikane gjithmonë janë të gatshme të mbrojnë Amerikën dhe pronat e saj", tha ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.