Bota

SHBA: Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare qëllohen me armë në Washington, gjendja e tyre e paqartë

“Ne tani po marrim raportime kontradiktore në lidhje me gjendjen e dy pjesëtarëve tanë të Gardës”, tha guvernatori i Virxhinias Perëndimore pasi më herët i shpalli të vdekur.

Diyar Güldoğan  | 26.11.2025 - Përdıtësım : 27.11.2025
SHBA: Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare qëllohen me armë në Washington, gjendja e tyre e paqartë

Washington

Dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare të SHBA-së u qëlluan me armë në kryeqytetin amerikan Washington, ndërsa autoritetet thanë se ka “raportime kontradiktore” për gjendjen e tyre, pasi fillimisht ishte raportuar se incidenti kishte qenë fatal, transmeton Anadolu.

“Ne tani po marrim raportime kontradiktore në lidhje me gjendjen e dy pjesëtarëve tanë të Gardës dhe do të japim informacione shtesë sapo të marrim të dhëna më të plota”, tha guvernatori i Virxhinias Perëndimore, Patrick Morrisey, përmes rrjetit social amerikan X.

Ky përditësim erdhi pasi Morrisey fillimisht kishte thënë se dy pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Virxhinias Perëndimore “kishin ndërruar jetë nga plagët” pas të shtënave pranë Shtëpisë së Bardhë, e cila u vu në bllokim sigurie.

Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se Shtëpia e Bardhë është “në dijeni dhe po monitoron në mënyrë aktive këtë situatë tragjike”, duke theksuar se presidenti Donald Trump, i cili ndodhet për Ditën e Falënderimeve në shtetin e Floridës, është informuar për të shtënat.

Trump postoi më herët se i dyshuari ishte “në gjendje kritike” pasi forcat e rendit reaguan ndaj të shtënave. Ai u zotua se sulmuesi do të “paguajë një çmim shumë të lartë”.

Duke folur pak pas incidentit, nënpresidenti JD Vance tha se detajet rreth ngjarjes mbeten të paqarta.

“Ende po mësojmë gjithçka. Ende nuk e dimë motivin. Ka shumë gjëra që nuk i kemi zbuluar”, tha Vance para trupave amerikane në “Fort Campbell”, në shtetin e Kentakit.

Ndërkohë, Departamenti i Policisë së Washingtonit kishte thënë se një i dyshuar është ndaluar.

“Polica është në vendngjarje për të shtëna në ‘17th’ dhe ‘I Street, NW’. Ju lutemi shmangni zonën”, thuhej në njoftim, në të cilin u shtua se vendi i ngjarjes është siguruar.

Sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, tha përmes rrjetit X se departamenti i saj po punon me forcat vendore të rendit për të mbledhur më shumë informacione.

Ndërkaq, shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, tha se Trump ka kërkuar që 500 trupa shtesë të vendosen në Washington pas incidentit.

Zyrtarë të tjerë të lartë të zbatimit të ligjit thanë se agjentët federalë janë në vendin e ngjarjes, të cilën prokurorja e përgjithshme Pam Bondi e quajti “të shtëna të tmerrshme”. Shefi i FBI-së, Kash Patel, tha se agjencia e tij ishte e angazhuar dhe po e ndihmon hetimin.

Lideri i shumicës në Senat, John Thune, tha se po e monitoron situatën. “Mendimet dhe lutjet e mia janë me pjesëtarët e Gardës Kombëtare që u sulmuan këtë pasdite. Ju bëj thirrje t’i mbani edhe ju në lutjet tuaja”, tha ai.

Lideri i pakicës, Chuck Schumer, tha se edhe ai është duke e “monitoruar nga afër” situatën. “Falënderoj të gjithë reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë për kapjen e të dyshuarit”, shtoi ai.

Ndërkohë, lideri i Demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, theksoi se “nuk ka vend për dhunë” në Amerikë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın