Bota

SHBA, dhjetëra të arrestuar pas protestës në mbështetje të Palestinës në Universitetin Columbia

Studentët që u mblodhën në bibliotekë, brohoritën me slogane pro-Palestinës ndërsa administrata e universitetit pas pak kohësh thirri në objekt policinë e New Yorkut

Hakan Çopur  | 08.05.2025 - Përdıtësım : 08.05.2025
SHBA, dhjetëra të arrestuar pas protestës në mbështetje të Palestinës në Universitetin Columbia

Washington DC

Dhjetëra protestues u arrestuan pasi demonstruan në mbështetje të Palestinës në Bibliotekën Butler në Universitetin e Columbias në SHBA, raporton Anadolu.

Në Universitetin e Columbias i cili konsiderohet si qendra e protestave palestineze në kampuset universitare amerikane, një numër i madh studentësh mbajtën një demonstratë të madhe në Bibliotekën Butler.

Studentët që u mblodhën në bibliotekë, brohoritën me slogane pro-Palestinës ndërsa administrata e universitetit pas pak kohësh thirri në objekt policinë e New Yorkut.

Pas kësaj policia e New Yorkut hyri në bibliotekë dhe arrestoi të paktën 70 protestues ndërsa herë pas here midis policisë dhe demonstruesve pati tensione.

Grupi studentor që organizoi protestën në një deklaratë tha: "Po përballemi me një nga forcat më të mëdha policore të militarizuara në botë. Rojet e sigurisë të caktuar për protestën na mbytën, por ne nuk u dorëzuam. Ne refuzojmë të shuhemi në heshtje. Nuk do bëhemi intelektualë të padobishëm. Palestina është busulla jonë dhe ne qëndrojmë të fortë përballë shtypjes së dhunshme".

Presidentja e Universitetit të Columbias, Claire Shipman tha se personat e përfshirë në incident refuzuan të "identifikoheshin dhe të largoheshin nga ndërtesa" dhe se për këtë arsye u arrestuan.

- Universitetet Harvard, Columbia dhe Pensylvania

Kohët e fundit në SHBA ka diskutime për të ngrirë fondet federale të universiteteve, duke treguar si arsye kryesisht protestat pro-palestineze në kampuse si dhe programet e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes.

Profesorët e Universitetit të Harvardit kanë ngritur padi duke sfiduar vendimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump për të hetuar 8.7 miliardë dollarë fonde federale për shkollën.

Universiteti i Columbias i cili u vu në shënjestër nga administrata e Trumpit si pjesë e politikës së saj të "luftimit të antisemitizmit" njoftoi se ka vendosur të përmbushë kërkesat e qeverisë në mënyrë që financimi prej 400 milionë dollarësh i universitetit të mos ndërprehet.

Muajin e kaluar thuhet se një financim federal prej 175 milionë dollarësh i ndarë për Universitetin e Pensilvanisë (UPenn) u pezullua për shkak të një atleteje transgjinore në ekipin e notit të universitetit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.