SHBA dhe Rusia bien dakord për rivendosjen e dialogut ushtarak të nivelit të lartë
Ky kanal komunikimi ishte pezulluar në vjeshtën e vitit 2021, pak para fillimit të luftës në Ukrainë
Washington
Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM) ka bërë të ditur se SHBA-ja dhe Rusia kanë rënë dakord për rivendosjen e dialogut ushtarak të nivelit të lartë, transmeton Anadolu.
EUCOM tha se marrëveshja vjen pas një jave përparimi që zyrtarët e përshkruan si "produktive dhe konstruktive" drejt objektivit të presidentit Donald Trump për paqe në Ukrainë, të udhëhequr nga Jared Kushner dhe i dërguari i posaçëm, Steve Witkoff.
Vendimi u mor gjatë takimeve të mbajtura në Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku morën pjesë komandant i EUCOM-it, gjenerali Alexus G. Grynkewich, si dhe zyrtarë të lartë ushtarak rusë dhe ukrainasë.
Ky kanal komunikimi ishte pezulluar në vjeshtën e vitit 2021, pak para fillimit të luftës në Ukrainë.
"Ruajtja e dialogut mes ushtrive është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen globale, të cilat mund të arrihen vetëm përmes forcës dhe ofron një mjet për rritjen e transparencës dhe uljen e përshkallëzimit. Ky kanal do të sigurojë një kontakt të qëndrueshëm ushtarak teksa palët vazhdojnë të punojnë drejt një paqeje të qëndrueshme", tha EUCOM.
Përveç rolit të tij si komandant i EUCOM-it, gjenerali Grynkewich shërben edhe si Komandant Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë dhe mban autoritete ekzistuese për të ruajtur dialogun ushtarak me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov, me qëllim shmangien e keqllogaritjeve dhe parandalimin e përshkallëzimit të paqëllimshëm nga secila palë.
