Bota

SHBA dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për tubacionin e diskutueshëm "Rrjedha Veriore 2"

Marrëveshja pengon sanksionet e SHBA-së ndërsa Berlini bie dakord për marrjen e masave të gjera për të ulur shqetësimet

Elena Teslova, Michael Gabriel Hernandez   | 22.07.2021
SHBA dhe Gjermania arrijnë marrëveshje për tubacionin e diskutueshëm "Rrjedha Veriore 2"

Washington/Moskë

SHBA-ja dhe Gjermania kanë arritur një marrëveshje mbi tubacionin e diskutueshëm të gazit natyror "Rrjedha Veriore 2", e cila obligon Berlinin të marrë masa të gjera për të zbutur shqetësimet e SHBA-së, njoftuan vendet të mërkurën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në shkëmbim, administrata e Bidenit nuk do të vendosë sanksione të mëtejshme të mandatuara nga Kongresi mbi subjektet e lidhura me projektin pasi një zyrtar i lartë i administratës i cili u foli gazetarëve në kushte anonimiteti tha se sanksionet ekonomike të vendosura nga SHBA-ja "nuk do të ndalonin tubacionin", i cili tashmë afër 98 për qind ka përfunduar.

Administrata e Bidenit në maj hoqi dorë nga sanksionet ndaj kompanisë zvicerane që drejton projektin dhe drejtorin e saj gjerman, duke filluar një afat tre-mujor në të cilën do të zhvillohen negociata me Berlinin.

"SHBA-ja dhe Gjermania janë të palëkundura në mbështetjen e tyre për sovranitetin e Ukrainës, integritetin territorial, pavarësinë dhe përcaktimin e saj evropian. Ne u përkushtuam sot se do të kundërshtojmë agresionin rus dhe aktivitetet keqdashëse në Ukrainë dhe më gjerë", thuhet në deklaratën e përbashkët.

Marrëveshja pasoi vetëm disa ditë pasi kancelarja gjermane Angela Merkel udhëtoi në Washington ku u takua me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

SHBA-ja edhe gjatë administratës së presidentëve të mëparshëm ka paralajmëruar se tubacioni është një marrëveshje e keqe për Gjermaninë dhe rrezikon sigurinë e energjisë evropiane si dhe paraqet rrezik që Rusia mund të ndërpresë furnizimet e gazit që aktualisht kalojnë përmes Ukrainës.

Sipas paktit, Berlini ra dakord të caktojë një të dërguar special për të ndihmuar në zgjatjen e kontratës ekzistuese të gazit që ka me Rusinë "përtej" skadimit të saj aktual në vitin 2024, tha zyrtari dhe do të merrte masa në nivelet kombëtare dhe të BE-së nëse Rusia përpiqet të përdor burimet e energjisë si një armë kundër Kievit.

"Nëse Rusia përpiqet të përdorë energjinë si një armë ose të kryejë veprime të mëtejshme agresive kundër Ukrainës, Gjermania do të ndërmarrë veprime në nivelin kombëtar dhe do të kërkojë masa efektive në nivelin evropian, përfshirë sanksionet për të kufizuar aftësitë e eksportit rus në Evropë në sektorin e energjisë", thuhet më tej.

Gjermania është zotuar se do të përdor "të gjitha mjetet në dispozicion për të lehtësuar vazhdimin deri në 10 vjet të marrëveshjes ukrainase të transitit të gazit me Rusinë" me mbështetjen e plotë të SHBA-së.

Berlini më tej do të investojë "një donacion fillestar" prej 175 milionë dollarë për sigurinë e energjisë në Ukrainë, pjesë e një fondi më të gjerë të gjelbër të energjisë prej 1 miliard dollarësh të formuar së bashku me SHBA-në.

"Fondi do të promovojë përdorimin e energjisë së rinovueshme, lehtësimin e zhvillimit të hidrogjenit dhe rritjen e efikasitetit të energjisë që përshpejton kalimin nga qymyri dhe nxit neutralitetin e karbonit", theksohet në deklaratë.

- Putin dhe Merkel diskutuan "Rrjedhën Veriore 2" përmes telefonit

Disa minuta pasi Departamenti i Shtetit publikoi marrëveshjen SHBA-Gjermani për "Rrjedhën Veriore 2", Kremlini lëshoi ​​një deklaratë duke thënë se presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me Merkelin.

Në përputhje me marrëveshjen, Merkel ngriti një pyetje mbi transitin e gazit përmes Ukrainës pas skadimit të marrëveshjes ruso-ukrainase, e cila është e vlefshme deri në vitin 2024.

"Merkel gjithashtu njoftoi Putinin në lidhje me diskutimin mbi zhvillimet rreth projektit të tubacionit me presidentin amerikan Biden në Washington. Putin bëri komentet e tij mbi këtë temë", thuhet në deklaratë.

Putin i shprehu gjithashtu ngushëllimet e tij Merkelit për përmbytjet e papara në Gjermani të cilat morën 171 jetë njerëzish dhe shkaktuan shkatërrime në shkallë të gjerë.

Gazsjellësi "Rrjedha Veriore 2" do të transportojë gaz nga Rusia në Gjermani, i cili më pas do të shpërndahet në të gjithë Bashkimin Evropian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.