Bota

SHBA, Departamenti i Shtetit shkarkon një zyrtar pas debateve të brendshme mbi Gazën

Shkarkimi i Shahed Ghoreishit vjen pas mosmarrëveshjeve mbi përshkrimin e zhvendosjes me forcë të palestinezëve

Rabia İclal Turan  | 21.08.2025 - Përdıtësım : 21.08.2025
SHBA, Departamenti i Shtetit shkarkon një zyrtar pas debateve të brendshme mbi Gazën

Washington

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shkarkuar zyrtarin e tij të lartë për media mbi çështjet izraelito-palestineze pas mosmarrëveshjeve të brendshme që kishin mbi deklaratat zyrtare mbi Gazën, sipas një raporti të publikuar të mërkurën, transmeton Anadolu.

Gazeta "Washington Post" tha se shkarkimi i Shahed Ghoreishit erdhi pas mosmarrëveshjeve se si të përshkruheshin politikat e administratës së Trumpit, përfshirë planin e diskutueshëm për të zhvendosur qindra mijëra palestinezë nga Rripi i Gazës, një propozim që kritikët e kanë dënuar si spastrim etnik.

"Washington Post" njoftoi se Ghoreishi hartoi një deklaratë duke thënë: "Ne nuk e mbështesim zhvendosjen me forcë të palestinezëve në Gaza". Ndërkaq udhëheqja e Departamentit të Shtetit e hodhi poshtë këtë linjë, duke udhëzuar stafin të "priste vijën e shënuar me të kuqe dhe të qartë".

Ghoreishi i tha gazetës "Washington Post" se nuk i ishte dhënë shpjegim për shkarkimin e tij dhe argumentoi se gjuha që ai rekomandoi për median pasqyronte deklaratat e mëparshme nga zyrtarët e administratës së Trumpit, përfshirë të dërguarin special, Steve Witkoff, i cili tha në shkurt se SHBA-ja nuk do të ndjek një "plan dëbimi" për Gazën.

"Pavarësisht reputacionit të fortë dhe marrëdhënieve të ngushta pune me shumë kolegë të mi, nuk munda t'u mbijetoja këtyre mosmarrëveshjeve", tha ai.

Raportohet se mosmarrëveshjet pasuan përplasjet e mëparshme nëse do të përfshiheshin ngushëllime për gazetarin e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif dhe gazetarëve të tjerë të vrarë nga Izraeli në Gaza më 10 gusht, të cilat zyrtarët e lartë i bllokuan gjithashtu.

Ghoreishi thuhet se rekomandoi një rresht që thoshte: "Ne mërzitemi për humbjen e gazetarëve dhe shprehim ngushëllime familjeve të tyre", por udhëheqja e Departamentit të Shtetit kundërshtoi në një e-mail të 10 gushtit, duke thënë: "Nuk nevojitet përgjigje. Nuk mund të dërgojmë ngushëllime nëse nuk jemi të sigurt për veprimet e këtij individi".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın