Bota

SHBA, Departamenti i Drejtësisë akuzon Universitetin "George Washington" për indiferencë ndaj sulmeve antisemite

- Departamenti i Drejtësisë në një letër drejtuar administratës së universitetit në kryeqytetin Washington, D.C., akuzoi zyrtarët e institucionit se kanë lejuar me vetëdije akte antisemite në kampus.

Mücahit Oktay  | 13.08.2025 - Përdıtësım : 13.08.2025
SHBA, Departamenti i Drejtësisë akuzon Universitetin "George Washington" për indiferencë ndaj sulmeve antisemite

New York

WASHINGTON (AA) - Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka akuzuar administratën e Universitetit "George Washington" (GWU) për "indiferencë të qëllimshme ndaj antisemitizmit", transmeton Anadolu.

Sipas mediave amerikane, Departamenti i Drejtësisë në një letër drejtuar administratës së universitetit në kryeqytetin Washington, D.C., akuzoi zyrtarët e institucionit se kanë lejuar me vetëdije akte antisemite në kampus.

Letra pretendon se si rezultat i një hetimit të kryer ndaj universitetit, studentët dhe punonjësit arsimorë hebrenj dhe izraelitë në fakultetin që ndodhet në kampusin e universitetit, vetëm pak kilometra larg Shtëpisë së Bardhë i janë nënshtruar një mjedisi armiqësor "agresiv, të ashpër dhe të përhapur".

Në letrën e nënshkruar nga Harmeet K. Dhillon, prokurori i përgjithshëm përgjegjës për njësinë e të drejtave civile të departamentit, thuhet se "Me të vetmen fjalë është tronditës abuzimi antisemit, i bazuar në urrejtje ndaj studentëve, stafit dhe punonjësve hebrenj nga studentët e GWU. Kjo sjellje është qartësisht e neveritshme, imorale dhe më e rëndësishmja është e paligjshme".

Më tej në letër vihet në dukje se një vit më parë, studentët kanë organizuar protesta dhe tubime në mbështetje të Palestinës në universitetet në të gjithë vendin.

Zëdhënësja e GWU-së, Shannon McClendon, i mohoi akuzat kundër universitetit. "Veprimet tona tregojnë qartë angazhimin tonë për të luftuar aktet antisemite dhe për të nxitur mjedis gjithëpërfshirës në kampus duke mbështetur mjedis të sigurt, respektues dhe të përgjegjshëm", tha ajo.

Departamenti i Drejtësisë së fundmi bëri akuza të ngjashme kundër kampusit të Universitetit të Kalifornisë (UCLA) në Los Angeles më 29 korrik ndërsa një javë më vonë pezulloi më shumë se gjysmë miliardi dollarë në grante federale për universitetin.

Agjenci të ndryshme qeveritare, të udhëhequra nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pas protestave pro-palestineze që shpërthyen në universitetet amerikane në vitin 2024, nisën hetime mbi administratat e shumë universiteteve, përfshirë institucionet arsimore të vendit të tillë si Columbia, Yale dhe Harvard. Krahas presioneve politike ndaj tyre u vendosën edhe kufizime financiare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.