Shakira arrin marrëveshje me prokurorët spanjollë për të shmangur qëndrimin pas grilave
Ajo pranon fajin për mashtrim tatimor dhe do të duhet të paguajë një gjobë prej afro 8 milionë dollarë

Oviedo
Ylli kolumbian i popit Shakira arriti marrëveshje me prokurorët spanjollë të hënën për të shmangur qëndrimin pas grilave, raporton Anadolu.
Shakira pranoi fajësinë për mashtrimin e Spanjës prej 14.5 milionë euro taksa midis viteve 2012 dhe 2014. Në këmbim, ajo mori një dënim me kusht me 3 vjet burg, i cili u zëvendësua me një gjobë prej 7.3 milionë euro, ndërsa ajo tashmë i ka kthyer 14.5 milionë euro.
Prokurorët fillimisht kërkuan 8 vjet burg për Shakira-n. Ky rast varej nga fakti nëse Shakira ishte në Spanjë gjatë periudhës së diskutueshme. Prokurorët pretendojnë se ajo ishte banore e Spanjës dhe duhej të paguante taksa, por këngëtarja këmbëngul se ishte banore zyrtare e Bahamas në atë kohë.
Pavarësisht marrëveshjes, Shakira, jashtë sallës së gjyqit vazhdon të mohojë çfarëdo shkelje.
"U ndjeva e gatshme të shkoja në gjyq për të mbrojtur pafajësinë time. Por, pas përpjekjeve disa vjeçare, mora këtë vendim. Kisha dy mundësi: të vazhdoja të luftoja deri në fund në kurriz të qetësisë sime shpirtërore dhe qetësisë së fëmijëve të mi ose të qetësohem dhe ta lë pas meje këtë kapitull të jetës sime", tha ajo.
Shakira vazhdon të përballet me çështje në pritje të mashtrimit tatimor në 2011 dhe 2018. Për çështjen e saj tatimore nga viti 2011, ajo thotë se "është e pakuptimtë" dhe duhet të anulohet sepse nuk kishte lidhje me Spanjën në atë kohë.
"E gjitha ishte, sepse në mes të një turneu global me më shumë se 120 koncerte, erdha në Spanjë për të vizituar personin me të cilin nisa një lidhje gjithsej 70 ditë", tha ajo duke iu referuar tashmë ish-partnerit të saj, futbollistit të Barcelonës, Gerald Pique.
Shakira nuk ka komentuar rreth hetimit tatimor të vitit 2018, rast ky për të cilin prokurorët thonë se ajo përdori një rrjet korporatash në det të hapur për të shmangur pagesën e 6 milionë eurove në taksa.
Figura të tjera të famshme në Spanjë, si futbollistët Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi kanë arritur të shmangin dënimin me burg, pavarësisht dënimeve të ngjashme për evazion fiskal.