Bota

Senatorët francezë vizitojnë Tajvanin në vazhdën e tensioneve me Kinën

Një delegacion parlamentar i senatorëve francezë viziton Tajvanin, ku janë përshkallëzuar tensionet pasi Kina kohët e fundit ka hyrë në zonën e mbrojtjes ajrore me një numër të madh avionësh luftarakë

06.10.2021
Senatorët francezë vizitojnë Tajvanin në vazhdën e tensioneve me Kinën

Pekin

Një delegacion parlamentar i senatorëve francezë viziton Tajvanin, ku janë përshkallëzuar tensionet pasi Kina kohët e fundit ka hyrë në zonën e mbrojtjes ajrore me një numër të madh avionësh luftarakë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas agjencisë së lajmeve të Tajvanit CNA, delegacioni i kryesuar nga ish-ministri i Mbrojtjes së Francës, Alain Richard arriti në ishull në mëngjes.

Delegacioni thuhet se përfshinte senatorët përveç Richard edhe Max Brisson, Else Joseph, Olivier Cadic dhe Judith Bout.

Gjatë vizitës 5-ditore, delegacioni do të takohet me udhëheqësen e Tajvanit, Tsai Ing-wen si dhe anëtarët e qeverisë të ngarkuar me çështjet e jashtme, ekonominë, shëndetësinë dhe përfaqësuesit e Këshillit të Marrëdhënieve Kontinentale në ishull.

Senatori Richard, i cili shërbeu si ministër francez i Mbrojtjes në vitet 1997-2002, i paraqiti Senatit një projekt-ligj për të mbështetur aktivitetet e Tajvanit në organizatat ndërkombëtare ndërsa projektligji u votua dhe u pranua në maj.

Në mediat franceze thuhej se ambasadori kinez në Paris, Lu Shaye, i shkroi Richardit në shkurt duke i kërkuar atij të anulonte vizitën e planifikuar.

Hyrja e avionëve luftarakë të Kinës në zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit

Hyrja e avionëve luftarakë kinezë në zonën e shpallur nga Tajvani si Zonë e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore më 1 tetor, e cila është dita e përvjetorit të themelimit të Republikës Popullore dhe në ditët në vijim rriti tensionet në rajon.

Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit njoftoi se 38 avionë luftarakë hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore më 1 tetor, 39 më 2 tetor, 16 më 3 tetor dhe 56 më 4 tetor.

Fluturimet më 4 tetor ishin "shkelja" me më shumë avionë në një ditë që kur Tajvani filloi të mbante shënime në shtator 2020.

Zona e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore, e cila nuk është e përcaktuar në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk kontrollohet nga asnjë autoritet ndërkombëtar, në përgjithësi deklarohet në mënyrë të njëanshme nga vendet.

Zona e identifikimit nuk përfshin avionë civilë që nuk kanë ndërmend të shkelin hapësirën ajrore të përcaktuar të vendit, por avionët ushtarakë që hyjnë në zonë vlerësohen si një kërcënim potencial dhe paralajmërohen.

Konflikti Kinë-Tajvan

Pasi Partia Komuniste Kineze (CCP) e udhëhequr nga Mao Ce Duni mori pushtetin në vitin 1949 në luftën civile që shpërtheu pas Luftës së Dytë Botërore në Kinë dhe shpalli krijimin e Republikës Popullore të Kinës, anëtarët e Partisë Nacionaliste Kineze (Kuomintag) të udhëhequr nga Chiang Kai-shek erdhi në Tajvan. Ai u vendos në ishull dhe shpalli pavarësinë, duke pretenduar se qeveria e "Republikës së Kinës", e cila u krijua në vitin 1912, vazhdon në ishull.

Megjithëse, kjo nismë nuk u pranua nga Kina, përfaqësuesit e Tajvanit përfaqësuan Kinën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) deri në vitin 1971. Pozicioni i Tajvanit ishte bërë e pasigurt në organizatat ndërkombëtare pasi Qeveria e Pekinit u pranua si përfaqësuesi i vetëm legjitim i Kinës në votimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në vitin 1971, pasi shumë vende ndryshuan preferencën e tyre të marrëdhënieve diplomatike nga Republika e Kinës në Republikën Popullore të Kinës në vitet 1950 dhe 1960.

Qeveria e Pekinit, duke miratuar parimin e "Një Kine", argumenton se Tajvani është pjesë e territorit të saj. Përveç pranisë së saj ushtarake në dhe rreth ngushticës, Kina kundërshton vendosjen e marrëdhënieve diplomatike të pavarura nga Tajvani me vendet e botës dhe përfaqësimin e saj në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın