Bota

Senati amerikan konfirmon përzgjedhjen e Amy Coney Barrett në Gjykatën Supreme

Konfirmimi i gjykatëses Barrett shënon përzgjedhjen e tretë të suksesshme në Gjykatën Supreme gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump

Michael Gabriel Hernandez  | 27.10.2020 - Përdıtësım : 27.10.2020
Senati amerikan konfirmon përzgjedhjen e Amy Coney Barrett në Gjykatën Supreme

Washington

Senati amerikan mbrëmë konfirmoi përzgjedhjen e Amy Coney Barrett në Gjykatën Supreme të SHBA-së, duke siguruar një shumicë solide 6-3 për konservatorët në këtë gjykatë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Senati votoi 52-48, ndërsa vetëm senatorja republikane Susan Collins nga Maine votoi ndryshe nga partia e saj, duke u bashkuar me demokratët dhe të pavarurit.

Konfirmimi i gjykatëses Barrett shënon përzgjedhjen e tretë të suksesshme në Gjykatën Supreme gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa kjo është lehtësuar nga lideri i shumicës së Senatit, Mitch McConnell, i cili kundërshtoi propozimin e ish-presidentit Barack Obama në vitin 2016.

Demokratët kundërshtuan me vendosmëri nominimin e gjykatëses Barrett pasi McConnell në vitin 2016 refuzoi seancën për përzgjedhjen e gjykatësit Merrick Garland, duke thënë se kjo është e papërshtatshme të bëhet para zgjedhjeve presidenciale. McConnell nuk mbajti këtë qëndrim pas vdekjes së gjykatëses Ruth Bader Ginsburg në shtator, më pak se dy muaj para ditës së zgjedhjeve.

Gjykatësja Barrett pritet të marrë pjesë në një ceremoni zyrtare të betimit të hënën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.