Bota

Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit: Ndërhyrja amerikane do të destabilizojë rajonin

Deklaratat e tij erdhën pasi presidenti Trump paralajmëroi se SHBA-ja do të ndërhynte nëse Irani "qëllon dhe vret me dhunë protestues paqësorë", duke theksuar se SHBA-ja është "e gatshme dhe e armatosur për të vepruar"

Seyit Şamil Kurt  | 02.01.2026 - Përdıtësım : 02.01.2026
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit: Ndërhyrja amerikane do të destabilizojë rajonin

Stamboll

Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka paralajmëruar se ndërhyrja e SHBA-së në Iran do të destabilizonte Lindjen e Mesme dhe gjithashtu do të dëmtonte interesat amerikane, transmeton Anadolu.

Larijani në platformën sociale të kompanisë amerikane X reagoi ndaj deklaratave të fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

"Me deklaratat e zyrtarëve izraelitë dhe të Trumpit, ajo që ka ndodhur pas skenave tani është e qartë", shkroi Larijani.

Ai tha se Irani bën dallimin mes "qëndrimit të tregtarëve protestues dhe veprimeve të aktorëve përçarës", si dhe paralajmëroi se ndërhyrja amerikane, në atë që ai e përshkroi si një çështje të brendshme, do të "destabilizonte të gjithë rajonin dhe do të shkatërronte interesat e Amerikës".

"Populli amerikan duhet ta dijë, Trump e nisi këtë aventurizëm. Ata duhet të jenë të vetëdijshëm për sigurinë e ushtarëve të tyre", shtoi ai.

Deklaratat e tij erdhën pasi presidenti Trump paralajmëroi se SHBA-ja do të ndërhynte nëse Irani "qëllon dhe vret me dhunë protestues paqësorë", duke theksuar se SHBA-ja është "e gatshme dhe e armatosur për të vepruar".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.