Sekretari i Energjisë: SHBA-ja “thjesht nuk është gati” të shoqërojë cisternat e naftës në Ngushticën e Hormuzit
“Do të ndodhë relativisht shpejt, por nuk mund të ndodhë tani. Thjesht nuk jemi gati. Të gjitha asetet tona ushtarake aktualisht janë të përqendruara në shkatërrimin e kapaciteteve sulmuese të Iranit”, tha Wright
Washington
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, teksa operacioni SHBA-Izrael në Iran vazhdon, ka deklaruar se marina e SHBA-së “nuk është gati” të shoqërojë cisternat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, transmeton Anadolu.
“Do të ndodhë relativisht shpejt, por nuk mund të ndodhë tani. Thjesht nuk jemi gati. Të gjitha asetet tona ushtarake aktualisht janë të përqendruara në shkatërrimin e kapaciteteve sulmuese të Iranit dhe industrisë së prodhimit që furnizon këto kapacitete,” tha Wright për CNBC në një intervistë.
“Mendoj se, po, kjo ka shumë gjasa të ndodhë”, tha Wright kur u pyet nëse marina do të jetë në gjendje të shoqërojë cisternat deri në fund të këtij muaji.
“Do të jem në Pentagon më vonë sot. Kjo është ajo mbi të cilën po punon ushtria”, shtoi ai.
Në një intervistë tjetër për CNN, Wright tha se Ngushtica e Hormuzit “duhet dhe do të rihapet”, kur u pyet nëse SHBA-ja mund të shpallë sukses pa u rihapur kjo rrugë ujore e rëndësishme.
“Ushtria amerikane është atje për të zgjidhur një problem afatgjatë, që është fakti se Irani ka pasur për 47 vjet aftësinë të kërcënojë Ngushticën e Hormuzit dhe jo shumë kohë më vonë Irani do të kishte armë bërthamore dhe një program të madh raketor rreth kësaj. Pra, po, duhet të kalosh përmes dhimbjeve afatshkurtra për të zgjidhur një problem afatgjatë”, tha ai.
- “Jemi në mes të një ndërprerjeje të konsiderueshme”
Wright tha se ushtria amerikane aktualisht është e përqendruar në dobësimin e kapacitetit të Iranit për të paraqitur kërcënime dhe se Washingtoni përfundimisht do të punojë me vende të tjera për “të lejuar rikthimin e trafikut përmes Ngushticës së Hormuzit”.
Dje, Irani paralajmëroi se çmimet e naftës mund të rriten deri në 200 dollarë për fuçi, ndërsa sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit vazhdojnë të tronditin tregjet globale të energjisë.
“Jemi në mes të një ndërprerjeje të konsiderueshme”, tha Wright për CNN.
Megjithatë, sekretari amerikan tha se çmimet globale të naftës kanë “pak gjasa” të arrijnë në 200 dollarë për fuçi.
“Po kalojmë një ndërprerje afatshkurtër të energjisë për një përfitim shumë të madh afatgjatë”, tha Wright kur u pyet nëse pajtohet që njerëzit duhet të përgatiten për naftë me çmim 200 dollarë për fuçi.
I pyetur nëse “çmimi mund të arrijë 200 dollarë për fuçi”, ai u përgjigj: “Do të thosha se nuk ka shumë gjasa, por ne jemi të përqendruar në operacionin ushtarak dhe në zgjidhjen e problemit”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
