Bota

Sekretari britanik i Mbrojtjes: Nuk ka informacione për plane iraniane për të goditur Londrën

Healey përsëriti se nuk ka asnjë informacion inteligjence që tregon për një sulm të planifikuar ndaj Britanisë, duke shtuar se vendi ka burimet dhe aleancat e nevojshme për t'u mbrojtur

Aysu Biçer  | 26.03.2026 - Përdıtësım : 26.03.2026
Sekretari britanik i Mbrojtjes: Nuk ka informacione për plane iraniane për të goditur Londrën

Londër

Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey ka hedhur poshtë pretendimet izraelite se Teherani ka aftësinë të godasë vendet evropiane, përfshirë Britaninë, duke theksuar se nuk ka asnjë vlerësim për plane iraniane për të goditur Londrën, transmeton Anadolu.

Duke folur për "Sky News", Healey përsëriti se nuk ka asnjë informacion inteligjence që tregon për një sulm të planifikuar ndaj Mbretërisë së Bashkuar, duke shtuar se Britania ka burimet dhe aleancat e nevojshme për t'u mbrojtur.

"Ne e bëjmë këtë jo vetëm sepse kemi forca të klasit të parë, por sepse kemi një aleancë me 31 vende të tjera të NATO-s. Së bashku mbrojmë NATO-n dhe hapësirën ajrore britanike dhe territorin britanik", tha Healey.

Komentet e tij vijnë në mes të shqetësimeve për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pyetjeve mbi gatishmërinë ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar.

Healey mbrojti reagimin e qeverisë, pavarësisht kritikave për kohën e nevojshme për dislokimin e një anijeje të Marinës Mbretërore në Mesdheun Lindor dhe numrin e kufizuar të forcave britanike në rajon.

"Mendoj se veprimet flasin vetë. Jam krenar për gatishmërinë. Jam krenar për reagimin e forcave tona të armatosura. Kjo do të thotë se pilotët tanë britanikë kanë fluturuar misione mbrojtëse për të mbrojtur jetët tona dhe njerëzit tanë që nga dita e parë", tha ai.

I pyetur nëse ka patur mangësi në planifikimin ushtarak, ai theksoi vitet e nënfinancimit.

"Nuk mund të korrigjosh brenda natës 14 vite nënfinancimi dhe dobësimi të kapaciteteve", tha ai duke kritikuar periudhën e gjatë të qeverisjes nga Partia Konservatore.

"Por, ne po fillojmë ta rregullojmë këtë", shtoi sekretari britanik i Mbrojtjes.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.