Sekretari amerikan i Shtetit zhvilloi një vizitë të shkurtër në Katar
Para mbërritjes së tij në Katar, Rubio tha se Washingtoni dhe Doha janë afër finalizimit të një marrëveshjeje të zgjeruar të bashkëpunimit në mbrojtje
Stamboll
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, mbërriti në kryeqytetin e Katarit, Doha, pas një vizite në Izrael, transmeton Anadolu.
Një video e transmetuar nga mediat amerikane tregoi diplomatin e lartë amerikan duke mbërritur në Doha, por nuk u dhanë detaje rreth përmbajtjes së bisedimeve të tij me zyrtarët e Katarit gjatë udhëtimit të tij të shkurtër.
Para mbërritjes së tij, Rubio tha se Washingtoni dhe Doha janë afër finalizimit të një marrëveshjeje të zgjeruar të bashkëpunimit në mbrojtje.
"Ne kemi një partneritet të ngushtë me katarianët", u tha Rubio gazetarëve përpara se të nisej nga Tel Avivi për në Doha. "Në fakt, ne kemi një marrëveshje të zgjeruar bashkëpunimi në mbrojtje, për të cilën kemi punuar dhe jemi në prag të finalizimit", shtoi ai.
Duke folur për rolin e Katarit në ndërmjetësimin e një armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, Rubio tha: "Ne do t'i kërkojmë Katarit të vazhdojë të bëjë atë që ka bërë deri më tani".
Vizita e tij erdhi një ditë pas një samiti urgjent arabo-islam në Doha, i cili dënoi sulmin izraelit të javës së kaluar në Katar dhe shprehu solidaritet me vendin e Gjirit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
