Sebastien Lecornu merr detyrën si kryeministër i Francës ndërsa protestat vazhdojnë
"Kjo paqëndrueshmëri dhe krizë politike në të cilën ndodhemi kërkon modesti", tha kryeministri i ri i Francës, Sebastien Lecornu

Paris
Përderisa vazhdojnë protestat në Francë, kryeministri i ri Sebastien Lecornu, i emëruar nga presidenti Emmanuel Macron, mori detyrën nga François Bayrou, transmeton Anadolu.
Një ceremoni pranim-dorëzimi u mbajt për Lecornu në kryeministrinë franceze.
Bayrou, një politikan i qendrës së djathtë, qeveria e të cilit ra në Francë më 8 shtator, tha në ceremoni: "Unë dhe ekipi im do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar qeverinë".
Ai theksoi se nuk besonte se Franca do të mbetej përgjithmonë në një klimë përçarjeje dhe dhune, duke shtuar se kjo situatë përbën pengesë për të ardhmen e vendit. "Kjo paqëndrueshmëri dhe krizë politike në të cilën ndodhemi kërkon modesti", tha Bayrou.
Kryeministri i ri Lecornu i emëruar dje nga Macron, falënderoi Bayrou-n për ofertën e tij të ndihmës dhe për guximin në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij. Pasi vuri në dukje se nuk do të mbante fjalim të gjatë, Lecornu tha: "Kjo paqëndrueshmëri dhe krizë politike në të cilën ndodhemi kërkon modesti".
Lecornu potencoi nevojën për seriozitet dhe kreativitet më të madh në punën me opozitën. Ai tha se do të takohet me forca të ndryshme politike dhe sindikale në ditët në vijim.
I lindur në vitin 1986 në provincën Val-d'Oise, Lecornu shërbeu si ministër i Mbrojtjes në qeverinë e rrëzuar të Bayrou-t. Lecornu e filloi karrierën e tij politike si zëvendësdeputet parlamentar në moshën 19-vjeç dhe ka shërbyer në ministri të ndryshme që kur Macron u bë president në vitin 2017.
Në një vend që po përballet me borxhin publik, negociatat për buxhetin e vitit 2026 shkaktuan mosmarrëveshje midis qeverisë Bayrou dhe opozitës.
Bayrou njoftoi se do ta çonte qeverinë drejt një votëbesimi para buxhetit të vitit 2026, i cili përfshinte kursime prej afërsisht 43 miliardë eurosh duke eliminuar disa festa zyrtare dhe i cili shkaktoi reagim të ashpër tek francezët.
Qeveria e Bayrou-t ra pasi dështoi të siguronte votëbesim në seancën e mbajtur më 8 shtator.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.