Samiti i udhëheqësve të G20-ës fillon në Afrikën e Jugut me fjalimin e presidentit Ramaphosa
Udhëheqësit botërorë u mblodhën për bisedime dyditore në samitin e parë të G20-ës që mbahet në Afrikë, nën temën "solidaritet, barazi dhe qëndrueshmëri".
Stamboll
Samiti i liderëve të G20-ës filloi sot në Johanesburg të Afrikës së Jugut, me presidentin Cyril Ramaphosa që mbajti fjalimin e parë ndërsa delegatët u mblodhën për dy ditë diskutimesh, raporton Anadolu.
Në përputhje me temën e Afrikës së Jugut për G20-ën, “solidaritet, barazi dhe qëndrueshmëri”, samiti i parë i G20-ës i mbajtur ndonjëherë në kontinentin afrikan nën presidencën e Pretorias pritet të fokusohet te lehtësimi i borxhit për vendet me të ardhura të ulëta – një pengesë madhore për rritje gjithëpërfshirëse në botën në zhvillim.
Liderët do të trajtojnë gjithashtu çështjet e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe kalimin drejt energjisë së pastër, ndër prioritete të tjera.
Agjenda përfshin diskutime mbi bashkëpunimin e brendshëm dhe drejtimin strategjik të bllokut, ndërsa liderët pritet të zhvillojnë një sërë takimesh dypalëshe në kuadër të këtij tubimi dyditor.
Ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Ronald Lamola, tha këtë javë se 42 vende pritet të marrin pjesë në këtë samit historik të G20-ës.
Shtetet e Bashkuara, anëtare themeluese të G20-ës, e kanë bojkotuar samitin e këtij viti.
Më herët këtë muaj, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se nuk do të dërgojë asnjë zyrtar amerikan në Johanesburg për këtë takim, duke e akuzuar Afrikën e Jugut për “shkelje të të drejtave të njeriut” kundër popullsisë së bardhë afrikanere – pretendime që qeveria e Afrikës së Jugut i ka hedhur poshtë vazhdimisht si të pabazuara.
Këtë vit, marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Pretorias ranë në nivelin më të ulët për shkak të mosmarrëveshjeve si në politikat e jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme.
E krijuar në vitin 1999, G20-a përbëhet nga 19 vende dhe dy organizata rajonale – Bashkimi Evropian dhe Bashkimi Afrikan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
