Bota

Rutte: Rusia mund të jetë gati të sulmojë NATO-n brenda 5 vitesh

"Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të Rusisë ka qenë e qetë, vendimtare dhe proporcionale. Por, ne duhet të jemi të përgatitur për përshkallëzim dhe konfrontim të mëtejshëm", paralajmëroi Rutte

Ayhan Şimşek  | 11.12.2025 - Përdıtësım : 11.12.2025
Rutte: Rusia mund të jetë gati të sulmojë NATO-n brenda 5 vitesh Foto: Halil Sağırkaya/AA

Berlin

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka paralajmëruar se Rusia mund të jetë në një pozicion për të sulmuar NATO-n brenda pesë vitesh, duke u bërë thirrje aleatëve të rrisin shpenzimet e mbrojtjes dhe të forcojnë mbrojtjen e aleancës, transmeton Anadolu.

“Ne duhet të jemi shumë të qartë për kërcënimin. Ne jemi objektivi i radhës i Rusisë”, tha Rutte gjatë fjalës së tij në një aktivitet të Konferencës së Sigurisë së Mynihut, që po mbahet në kryeqytetin gjerman Berlin.

“Mbrojtja e vetë NATO-s mund të mbajë për momentin. Por, me ekonominë e saj të dedikuar ndaj luftës, Rusia mund të jetë gati të përdorë forcën ushtarake kundër NATO-s brenda pesë vitesh”, tha ai.

Shefi i NATO-s theksoi se Rusia ka rritur ndjeshëm prodhimin e mbrojtjes gjatë luftës në Ukrainë, duke prodhuar rreth 2 mijë raketa lundrimi dhe balistike këtë vit dhe duke prodhuar rreth 2.900 dronë sulmi për çdo muaj.

Duke akuzuar Rusinë për zhvillimin e një lufte hibride në përshkallëzim kundër vendeve perëndimore, Rutte tha se Moska ka qëndruar pas fushatave të fshehta, sulmeve sabotuese ndaj infrastrukturës kritike, ndërhyrjeve me dronë dhe shkeljeve të hapësirës ajrore.

"Përgjigjja e NATO-s ndaj provokimeve të Rusisë ka qenë e qetë, vendimtare dhe proporcionale. Por, ne duhet të jemi të përgatitur për përshkallëzim dhe konfrontim të mëtejshëm", paralajmëroi Rutte.

"Angazhimi ynë i qëndrueshëm ndaj Nenit 5 të NATO-s, që një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve, dërgon një mesazh të fuqishëm. Çdo agresor duhet të dijë se ne mund dhe do të kundërpërgjigjemi fuqishëm", tha ai.

Gjatë një diskutimi në panel pas fjalës së tij, Rutte përshëndeti vendimin e qeverisë gjermane për të rritur shpenzimet e mbrojtjes dhe planet e saj për investime të mëdha në mbrojtje.

Si ekonomia më e madhe e Evropës, tha ai, këto përpjekje ishin të rëndësishme. Ai gjithashtu kritikoi ata që kundërshtojnë këto përpjekje dhe paralajmëroi se kërcënimi që paraqet Rusia është real.

“E di që edhe në Gjermani, disa njerëz po pyesin veten, a duhet ta bëjmë vërtet këtë? Po. Nëse e doni gjuhën gjermane dhe nuk doni të flisni rusisht, kjo është thelbësore”, tha Rutte në diskutimin në panel me ministrin gjerman të Punëve të Brendshme, Johann Wadephul.

“Është një kusht i domosdoshëm, sepse përndryshe, ky djalë nuk do të ndalet me Ukrainën. Kjo është, mendoj, ajo për të cilën duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, shtoi ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın