Rusia: Trump ka ndjekur një qasje "më të thellë" për zgjidhjen e luftës në Ukrainë pas samitit në Alaskë
"Presidenti Trump dhe ekipi i tij, veçanërisht pas takimit në Alaskë, kanë ndjekur një qasje shumë më të thellë për zgjidhjen e kësaj krize, duke kuptuar se është e nevojshme të eliminohen shkaqet rrënjësore", tha kryediplomati rus

Stamboll
Moska tha se Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe administrata e tij kanë ndjekur një qasje "më të thellë" për zgjidhjen e luftës së vazhdueshme në Ukrainë pas samitit të javës së kaluar midis Trumpit dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin në Alaskë, transmeton Anadolu.
"Presidenti Trump dhe ekipi i tij, veçanërisht pas takimit në Alaskë, kanë ndjekur një qasje shumë më të thellë për zgjidhjen e kësaj krize, duke kuptuar se është e nevojshme të eliminohen shkaqet rrënjësore, për të cilat Presidenti Putin dhe ne kemi folur vazhdimisht", tha ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, në një intervistë me kanalin televiziv shtetëror, "Rossiya-24".
Gjatë intervistës, Lavrov tha se kishte një "atmosferë të mirë" gjatë bisedimeve në Alaskë, të cilën ai tha se u reflektua në deklaratat e dy presidentëve pas samitit, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve RIA dhe mediat ruse.
Ai i përcaktoi më tej bisedimet si një "bisedë të dobishme", duke argumentuar se ishte "e qartë" se Trump dhe ekipi i tij "dëshirojnë sinqerisht të arrijnë një rezultat që do të jetë afatgjatë, i qëndrueshëm dhe i besueshëm".
Lavrov theksoi se qëndrimi i SHBA-së është në kundërshtim me vendet evropiane, të cilat "thonin në çdo vend se është i nevojshëm një armëpushim dhe pas kësaj ata vazhdonin të furnizonin me armë Ukrainën".
Të premten, Trump dhe Putin zhvilluan një takim tre-orësh me dyer të mbyllura në qytetin Anchorage të shtetit amerikan të Alaskës, me presidentin rus që tha se ata arritën një "mirëkuptim".
Presidenti amerikan, nga ana e tij, përshëndeti bisedimet si "përparim të madh".
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.