Bota

Rusia: Sulmet e Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane e çojnë botën drejt një "katastrofe bërthamore"

- Ministria e Jashtme e Rusisë tha se sulmet e Izraelit ndaj objekteve bërthamore paqësore në Iran janë të paligjshme, përbëjnë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare dhe e tërheqin botën në një katastrofë bërthamore

Dmitri Chirciu  | 17.06.2025 - Përdıtësım : 17.06.2025
Rusia: Sulmet e Izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane e çojnë botën drejt një "katastrofe bërthamore"

Moskë

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se sulmet e Izraelit ndaj objekteve bërthamore paqësore në Iran janë të paligjshme, përbëjnë kërcënim për sigurinë ndërkombëtare dhe e tërheqin botën në një katastrofë bërthamore, transmeton Anadolu.

Ministria ruse bëri deklaratë me shkrim në lidhje me konfliktin që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit.

"Rritja e tensioneve midis Iranit dhe Izraelit paraqet rreziqe kryesisht për Izraelin, vendet kufitare të Iranit dhe të gjithë rajonin. Vendet perëndimore mbështesin veprimet shkatërruese të Izraelit dhe i imponojnë pikëpamjet e tyre Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA)", thuhet në deklaratë.

"Përpjekjet e Perëndimit për të manipuluar regjimin global të mospërhapjes bërthamore dhe për ta përdorur atë për përballje politike me vende të papërshtatshme po i kushtojnë shtrenjtë komunitetit ndërkombëtar. Kjo është e papranueshme", theksohet më tej në deklaratë.

Pasi kritikoi veprimet e Izraelit kundër Iranit, në deklaratën e ministrisë ruse thuhet se:

"Sulmet e vazhdueshme intensive të Izraelit ndaj objekteve bërthamore paqësore në Iran janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar. Ato paraqesin kërcënime të papranueshme për sigurinë ndërkombëtare dhe e tërheqin botën në një katastrofë bërthamore, pasojat e së cilës do të ndihen kudo, përfshirë Izraelin. Rusia i bën thirrje qeverisë izraelite të veprojë me maturi dhe të ndalojë menjëherë sulmet ndaj objekteve bërthamore që i nënshtrohen inspektimit të IAEA-së".

Gjithashtu theksohet se IAEA duhet të bëjë vlerësime të paanshme në lidhje me dëmin e shkaktuar në objektet e energjisë bërthamore në Iran sa më shpejt të jetë e mundur.

Deklarata vuri në dukje se Irani mbetet i përkushtuar ndaj Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe është gati të rifillojë kontaktet me SHBA-në në lidhje me programin e tij bërthamor me kusht që Izraeli të ndalojë sulmet e tij, dhe vuri në dukje se Moska e mbështet këtë qasje dhe është në favor të zgjidhjes së çështjes vetëm përmes diplomacisë dhe negociatave.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın