Bota

Rusia: Shpresojmë që Trumpi do t'u përmbahet parimeve të zhvilluara në Samitin e Alaskës

"Shpresojmë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump dëshiron sinqerisht ta zgjidhë krizën ukrainase dhe do t'u përmbahet parimeve të zhvilluara në Samitin e Anchorage-s", tha Lavrov

Dmitri Chirciu  | 28.10.2025 - Përdıtësım : 28.10.2025
Rusia: Shpresojmë që Trumpi do t'u përmbahet parimeve të zhvilluara në Samitin e Alaskës

Minsk

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov deklaroi se shpreson që presidenti i SHBA-së Donald Trump do t'u përmbahet parimeve të zhvilluara në Samitin e Alaskës, transmeton Anadolu.

Lavrov mori pjesë në Konferencën e 3-të Ndërkombëtare të Minskut mbi Sigurinë Euroaziatike të mbajtur në Bjellorusi.

Duke folur në konferencë, Lavrov tha se rajoni Euroaziatik është bërë qendra gjeopolitike e rendit botëror shumëpolar. "Procesi që ka filluar këtu po formon ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Bëhet fjalë për forcimin e disa qendrave të pavarura të civilizuara në kontinentin Euroaziatik në të njëjtën kohë. Këto qendra përfaqësojnë shumicën e botës".

Ai kritikoi veprimet e vendeve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE). "Perëndimi nuk po i fsheh përgatitjet e tij për një luftë të re të madhe evropiane në perëndim të Rusisë dhe Bjellorusisë dhe po ndërton koalicione për këtë qëllim", tha Lavrov.

Shefi i diplomacisë ruse tërhoqi vëmendjen mbi përshpejtimin e militarizimit të vendeve evropiane, duke vënë në dukje se financimi për industrinë e mbrojtjes ushtarake në këto shtete është rritur, po mbahen ushtrime ushtarake në shkallë të gjerë dhe po forcohen lidhjet logjistike ushtarake.

"Anëtarët evropianë të NATO-s po e zgjasin konfliktin në Ukrainë duke i ofruar mbështetje ushtarake, financiare dhe politike qeverisë së Kievit. Shumë qeveri evropiane po bëjnë gjithçka që munden për ta bindur administratën amerikane të mos e zgjidhë krizën ukrainase duke adresuar shkaqet e saj rrënjësore. Shpresojmë që presidenti i SHBA-së, Donald Trump dëshiron sinqerisht ta zgjidhë krizën ukrainase dhe do t'u përmbahet parimeve të zhvilluara në Samitin e Anchorage-s. Këto parime u zhvilluan me iniciativën amerikane", tha Lavrov.

Sipas tij, Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë vendet e NATO-s dhe BE-së ndërsa mbrojti idenë se ata janë të gatshëm ta përfshijnë këtë pozicion në garancitë e sigurisë për rajonin euroaziatik, por se Perëndimi nuk e dëshiron këtë.

"Ne kundërshtojmë transformimin e rajonit euroaziatik në një feudal të NATO-s. Dakordimi për garancitë e sigurisë kundër kërcënimeve të jashtme që mund të vijnë nga jashtë kontinentit euroaziatik do ta çlirojë hapësirën tonë të përbashkët nga konfliktet dhe do ta bëjë atë të favorshme për bashkëpunim të ndërsjellë të dobishëm dhe produktiv", theksoi Lavrov.

Ai potencoi se siguria në rajonet Euro-Atlantike dhe Indo-Paqësore është e pandarë. "NATO përpiqet të fitojë pikëmbështetje në Oqeanin Paqësor duke tronditur themelet e arkitekturës rajonale të sigurisë. Kjo po bëhet për të ndaluar Kinën, për të izoluar Rusinë dhe për t'u përballur me Korenë e Veriut", tha ministri rus.

Lavrov tha se planet për të rigjallëruar aktivitetet e NATO-s në rajonin e Arktikut janë alarmante ndërsa theksoi nevojën për paqeruajtje dhe bashkëpunim në këtë rajon.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.