Rusia: Sekuestrimi i cisternës së naftës me flamur rus nga SHBA-ja, shkelje e ligjit ndërkombëtar
Ministria e Jashtme ruse i kërkoi SHBA-së "të ndalojë menjëherë veprimet e saj të paligjshme kundër 'Marinera'-s si dhe kundër anijeve të tjera që angazhohen në aktivitete legjitime"
Stamboll
Rusia deklaroi sot se sekuestrimi nga SHBA-ja i cisternës së naftës me flamur rus "Marinera", e njohur më parë si "M/V Bella 1" në Oqeanin Atlantik të Veriut përbën "shkelje të rëndë të parimeve dhe normave themelore të së drejtës ndërkombëtare detare", transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme ruse tha se sekuestrimi i cisternës përbën gjithashtu shkelje të "lirisë së lundrimit", duke shprehur shqetësim serioz për atë që e cilësoi si "veprim ushtarak të paligjshëm" të ndërmarrë nga SHBA-ja.
Deklarata thekson se autoritetet amerikane ishin informuar vazhdimisht për "identitetin rus të anijes dhe statusin e saj civil dhe paqësor".
"Ata nuk kishin asnjë dyshim për këtë, as nuk kishte bazë për të spekuluar se cisterna po lundronte pa flamur apo nën flamur të rremë", tha ministria duke shtuar se kërcënimi i autoriteteve amerikane për ndjekje ligjore ndaj ekuipazhit të anijes me "pretekste absurde është kategorikisht i papranueshëm".
Po ashtu, deklarata thotë se Rusia e konsideron të pabazuar referimin e Washingtonit te "legjislacioni i tij i sanksioneve" si justifikim për sekuestrimin.
"I bëjmë thirrje Washingtonit të kthehet në respektimin e normave dhe parimeve themelore të lundrimit detar ndërkombëtar dhe të ndalojë menjëherë veprimet e tij të paligjshme kundër 'Marinera'-s, si dhe kundër anijeve të tjera që angazhohen në aktivitete legjitime në det të hapur", shton deklarata.
Forcat amerikane njoftuan të mërkurën sekuestrimin e cisternës "Marinera" në Oqeanin Atlantik të Veriut për "shkelje të sanksioneve të SHBA-së".
