Bota

"Rusia, përfituesja më e madhe nga kriza e projektit të tubacionit Rrjedha Veriore 2"

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba shprehu shqetësime pasi SHBA-ja dhe Gjermania njoftuan arritjen e marrëveshjes rreth projektit të diskutueshëm të tubacionit

Dmitri Chirciu  | 23.07.2021 - Përdıtësım : 23.07.2021
"Rusia, përfituesja më e madhe nga kriza e projektit të tubacionit Rrjedha Veriore 2"

Kiev

Mënyra se si Rusia po përfiton nga kriza e krijuar nga projekti i tubacionit "Rrjedha Veriore 2" paraqet një problem për Ukrainën, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, transmeton Anadolu Agency (AA).

"SHBA-ja dhe Gjermania kanë rënë dakord për diçka, Polonia dhe Ukraina gjithashtu kanë rënë dakord për diçka, por unë dhe t'i, të gjithë e kuptojmë se përfituesi kryesor i krizës së krijuar nga 'Rrjedha Veriore 2' është Federata Ruse", tha Dmytro Kuleba, njoftoi agjencia ukrainase e lajmeve Ukrinform.

"Ndërsa ky është problemi kryesor dhe pyetja kryesore, përgjigjja e së cilës aktualisht është e panjohur, prandaj është e nevojshme të punohet në të", tha Kuleba në një konferencë për media në kryeqytetin ukrainas Kiev me homologun e tij hungarez, Peter Szijjarto.

Të mërkurën, SHBA-ja dhe Gjermania njoftuan se kishin arritur një marrëveshje mbi projektin e diskutueshëm, e cila obligon Berlinin të marrë masa të gjera për të qetësuar shqetësimet e SHBA-së.

Në këmbim, administrata e Bidenit thuhet se nuk do të vendosë sanksione të mëtejshme të mandatuara nga Kongresi ndaj subjekteve të lidhura me projektin, i cili tashmë rreth 98 për qind ka përfunduar.

SHBA-ja kishte kundërshtuar prej kohësh tubacionin në lidhje me shqetësimet se ai mund të përdoret nga Rusia për të anashkaluar linjat ekzistuese të gazit përmes Ukrainës.

Në lidhje me marrëveshjen, e cila do të lejojë përfundimin e tubacionit nga Rusia në Evropë, Kuleba tha: "Ne aktualisht kemi shumë pyetje se si marrëveshja SHBA-Gjermani mund të zvogëlojë rreziqet e sigurisë për Ukrainën dhe vendet e Evropës Qendrore të shoqëruara me nisjen e 'Rrjedhës Veriore 2'. Ne do të flasim për këtë me SHBA-në dhe Gjermaninë".

"Ne gjithmonë kemi thënë me sinqeritet se për ne 'Rrjedha Veriore 2' është para së gjithash një çështje sigurie dhe ne do të dëshironim që formulimi në deklaratën gjermano-amerikane mbi sigurinë të ishte më i fuqishëm", shtoi ai.

Lidhur me rajonin e trazuar Donbas të Ukrainës, në kufi me Rusinë, Szijjarto tha se Hungaria mbështet një "zgjidhje paqësore" të krizës.

Luftimet midis forcave të qeverisë ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në Donbas, në lindje të Ukrainës kanë shkaktuar më shumë se 13 mijë të vrarë që nga viti 2014, sipas OKB-së.

Rajoni është një nga shkaqet e fërkimit midis Rusisë dhe Ukrainës, përfshirë aneksimin e Krimesë nga Moska në vitin 2014, të cilën Turqia, BE-ja, SHBA-ja dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB i konsiderojnë të paligjshme.

Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti amerikan Joe Biden do të mirëpresë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky më 30 gusht.

"Vizita do të afirmojë mbështetjen e palëkundur të SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë në Donbas dhe Krime, bashkëpunimin tonë të ngushtë për sigurinë e energjisë dhe mbështetjen tonë për përpjekjet e presidentit Zelensky për të luftuar korrupsionin dhe për të zbatuar një axhendë të reformave bazuar në vlerat tona të përbashkëta demokratike", thuhet në deklaratë, duke përdorur një drejtshkrim alternativ për emrin e udhëheqësit ukrainas.

Ftesa paraqet një qëndrim krejt tjetër nga presidenti i fundit i SHBA-së, Donald Trump, i cili sugjeroi t'u jepet fund sanksioneve mbi aneksimin e Krimesë dhe shmangu dhënien e mbështetjes së pakushtëzuar të Ukrainës kundrejt fqinjit të saj shumë më të madh lindor.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın