Rusia propozon mbajtjen e raundit të dytë të bisedimeve me Ukrainën më 2 qershor në Stamboll
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka shprehur mirënjohje ndaj Turqisë për lehtësimin e bisedimeve.

Stamboll
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha se Rusia ka propozuar mbajtjen e raundit të dytë të negociatave të drejtpërdrejta me Ukrainën më 2 qershor në Stamboll, raportoi media shtetërore ruse TASS, transmeton Anadolu.
“Me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Turqisë, ishte e mundur të krijoheshin kushte për rifillimin e negociatave të drejtpërdrejta ruso-ukrainase”, tha Lavrov në një deklaratë me shkrim.
Ai kujtoi se raundi i parë i bisedimeve u zhvillua më 16 maj në Stamboll, duke rezultuar në një shkëmbim të burgosurish prej 1.000 personash nga secila palë. Palët gjithashtu ranë dakord të përgatisin dokumente pozicionesh drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme.
“Pala ruse, siç është rënë dakord, hartoi menjëherë një memorandum që përcakton qëndrimin tonë mbi të gjitha aspektet e kapërcimit të besueshëm të shkaqeve rrënjësore të krizës”, tha kryediplomati rus.
“Delegacioni ynë, i kryesuar nga Vladimir Medinsky, është gati t’ia paraqesë këtë memorandum delegacionit ukrainas dhe të japë shpjegimet e nevojshme gjatë raundit të dytë në Stamboll të hënën e ardhshme, më 2 qershor”, shtoi ai.
Lavrov shprehu mirënjohje ndaj Turqisë për lehtësimin e bisedimeve. “Siç konfirmoi ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan gjatë vizitës së tij në Moskë dje, dua të falënderoj edhe një herë partnerët tanë turq për ofrimin e një platforme mikpritëse turke”, tha ai.
Ai u bëri thirrje të gjithë atyre “që janë sinqerisht të interesuar, dhe jo vetëm me fjalë, për suksesin e procesit të paqes”, që të mbështesin takimin e propozuar në Stamboll.
Ukraina ende nuk i është përgjigjur propozimit të Rusisë për raundin tjetër të bisedimeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.