Rusia: Nuk ka lëshime në pikat kyç të zgjidhjes së çështjes ukrainase
Moska u përmbahet parimeve të përbashkëta të dakorduara me SHBA-në në Alaska, tha zëvendësministri i Jashtëm Sergey Ryabkov
Moskë
Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergey Ryabkov tha sot se kompromiset për çështjet kyç për Rusinë lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë “nuk mund të jenë pjesë e diskutimit”, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Moskë, Ryabkov tha se Rusia u përmbahet parimeve të dakorduara me SHBA-në në takimin presidencial në Anchorage, Alaska, në gusht.
“Nuk mund të ketë lëshime, as heqje dorë nga qasjet tona për zgjidhjen e problemeve kryesore me të cilat përballemi, përfshirë në kontekstin e ‘operacionit special ushtarak’. Theksoj se vetë elementet e marrëveshjeve në Anchorage përfaqësojnë zgjidhje kompromisi”, tha ai.
Ryabkov theksoi gjithashtu se Rusia kundërshton diskutimet publike për detajet e planit të presidentit amerikan Donald Trump për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, pasi ato mund ta dëmtojnë procesin e paqes.
“Ne u përmbahemi rezultateve të Anchoraget dhe do të vazhdojmë të veprojmë brenda këtyre parametrave, duke i lidhur zhvillimet aktuale me udhëzimet themelore të formuluara nga të dy presidentët atje”, tha ai.
I pyetur për kontaktet mes ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, Ryabkov tha se ato mund të organizohen shpejt nëse ka nevojë.
Washingtoni aktualisht është i angazhuar si me Moskën, ashtu edhe me Kievin për një plan të ri që ka hartuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Rusia e nisi “operacionin special ushtarak” në shkurt 2022 për “denazifikimin” dhe “demilitarizimin” e Ukrainës. Përveç kufizimeve për ushtrinë ukrainase dhe ndalimit të anëtarësimit në NATO, Moska kërkon që gjuha ruse të ketë status zyrtar në Ukrainë.
Duke komentuar gjendjen aktuale të marrëdhënieve SHBA–Rusi, Ryabkov tha se veprimet e Washingtonit ndaj Moskës mbeten “të paqëndrueshme”, pavarësisht deklarimeve për normalizim.
“Një grup mirëkuptimesh ruso-amerikane është formuar, i cili, në rrethana të caktuara, mund të shërbejë si bazë për një zgjidhje të mëtejshme politike dhe diplomatike”, tha ai.
Megjithatë, sipas tij, ka edhe hapa që shkojnë në drejtim të kundërt, si vazhdimi i furnizimit të armëve dhe inteligjencës amerikane për Kievin.
Pala ruse e kupton se situata është e komplikuar për SHBA-në, përfshirë agjendën e brendshme, dhe tregon durim në dialogun me Washingtonin, tha Ryabkov.
Sipas tij, marrëdhëniet ruso-amerikane janë ende në fazë të hershme të normalizimit, dhe nuk ka përparim në rifillimin e trafikut ajror mes dy vendeve apo në kthimin e pronës diplomatike ruse.
Duke iu referuar skadimit të Traktatit për Reduktimin e Armatimeve Strategjike (START) në shkurt, Ryabkov paralajmëroi se siguria globale do të përkeqësohet ndjeshëm nëse SHBA-ja nuk pranon propozimin e Rusisë për kufizime pas përfundimit të afatit.
Më 22 shtator, presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska është e gatshme t’u përmbahet kufizimeve qendrore sasiore të START-it për një vit pas skadimit të tij. Dokumenti skadon më 5 shkurt 2026. Megjithatë, ai theksoi se kjo masë është e vlefshme vetëm nëse Washingtoni vepron në të njëjtën mënyrë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
