Bota

Rusia: Një operacion tokësor i SHBA-së në Iran do të përkeqësonte situatën në Lindjen e Mesme

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrey Rudenko thotë se bllokimi i Ngushticës së Hormuzit nga Irani shihet si "vetëmbrojtje"

Elena Teslova  | 23.03.2026 - Përdıtësım : 23.03.2026
Rusia: Një operacion tokësor i SHBA-së në Iran do të përkeqësonte situatën në Lindjen e Mesme

Moskë

Rusia paralajmëroi se një operacion tokësor i SHBA-së në Iran vetëm do të përkeqësonte situatën në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu.

Zëvendësministri i Jashtëm rus, Andrey Rudenko i bëri këto komente gjatë fjalës së tij në seancën plenare të konferencës ndërkombëtare "Rusia dhe India: Drejt një Agjende të Re për Marrëdhëniet Bilaterale" në Moskë. Ai shprehu, megjithatë, dyshim se Washingtoni do të ndërmerrte një hap të tillë.

"Duket se nëse plane të tilla do të realizoheshin, edhe pse perspektivat nuk duken shumë bindëse, nëse kjo ndodh, natyrisht, do të çonte në përkeqësim të mëtejshëm të situatës, do të shkaktonte përshkallëzim të mëtejshëm dhe ka pak gjasa të afronte fundin e këtij konflikti", tha ai.

Duke folur për veprimet e Iranit, Rudenko tha se Rusia nuk mbështet bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, megjithatë veprimet e Teheranit i sheh si vetëmbrojtje.

"Irani, si çdo vend tjetër, ka të drejtën për vetëmbrojtje sipas mënyrës që e sheh të arsyeshme. Kjo nuk do të thotë se ne aprovojmë gjithçka që ndodh atje", tha ai.

"Bëjmë thirrje për zgjidhjen e këtij konflikti, mbi të gjitha për ndërprerjen e agresionit nga amerikanët dhe izraelitët kundër Iranit. Sepse gjithçka që ndodh në Ngushticën e Hormuzit është pasojë direkte e këtij veprimi të paligjshëm", shtoi ai.

Rudenko theksoi se Rusia do të kërkojë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) të marrë qëndrim të qartë mbi papranueshmërinë e sulmeve ndaj centralit bërthamor Bushehr në Iran.

"Do të kërkojmë përgjigje të qartë nga IAEA për këtë incident që gjëra të tilla të mos ndodhin përsëri, sepse, Zoti na ruajt, nëse ndodh diçka, do të kërcënonte një katastrofë të madhe për të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme", tha ai.

Sa i përket qëndrimit të Rusisë ndaj SHBA-së, Rudenko tha se ai nuk ka ndryshuar për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

"Nuk kemi pasur kurrë iluzione për SHBA-në. Pra, nuk kemi ndryshuar asgjë. Ne kemi një linjë shumë të qartë për shtetet, gjëja kryesore është që këto vende të respektojnë parimet dhe normat ndërkombëtare të cilat i kanë nënshkruar. Fatkeqësisht, në këtë rast të veçantë, SHBA-ja ka devijuar nga këto parime", u shpreh ai.

Duke folur për situatën në Ukrainë, Rudenko tha se Moska është e gatshme për negociata, por nuk janë caktuar data të sakta për mbajtjen e tyre. "Sipas asaj që di unë, nuk ka data të sakta. Ne jemi të gatshëm për negociata të tilla nëse ka dëshirë reciproke nga ana ukrainase", vuri në dukje ai.

Rudenko tha se po punohet për datat e vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Kinë, të cilat do të shpallen së shpejti. Ai shtoi se ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov mund të vizitojë Indinë në të ardhmen e afërt.

Nga ana e tij, gjatë fjalës në konferencën Rusia-India më herët gjatë ditës, Lavrov tha se pritet që kryeministri indian Narendra Modi të vizitojë Rusinë këtë vit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın