Bota

Rusia kërkon mbylljen e rrugëve për furnizimin me armë të terroristëve në Afganistan

Lavrov tha se në Afganistan duhet të parandalohet përkeqësimi i mëtejshëm i situatës humanitare, e cila ka shkaktuar rritjen e rrjedhës së migracionit drejt Azisë Qendrore

Ali Cura  | 13.10.2021 - Përdıtësım : 13.10.2021
Rusia kërkon mbylljen e rrugëve për furnizimin me armë të terroristëve në Afganistan

Moskë

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se rrugët e furnizimit me armë për terroristët në Afganistan duhet të mbyllen sa më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Lavrov u adresua në Takimin e 17-të me krerët e institucioneve të inteligjencës dhe sigurisë të Komunuelthit të Shteteve të Pavarura që u mbajt në Moskë.

Ai tha se në Afganistan duhet të parandalohet përkeqësimi i mëtejshëm i situatës humanitare, e cila ka shkaktuar rritjen e rrjedhës së migracionit drejt Azisë Qendrore.

"Po ndajmë frikën tonë se terroristët dhe elementët e tjerë radikal mund të depërtojnë nga kufijtë jugor nën maskën e refugjatit. Duhet të mbyllen sa më parë kanalet që furnizojnë ata me çdo produkt ushtarak", tha Lavrov.

Lavrov theksoi rëndësinë për rritjen e bashkëpunimit me Afganistanin në kuadrin e Komunuelthit të Shteteve të Pavarura, Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), si dhe rikujtoi se ky element është diskutuar në samitet e CSTO-së dhe SCO-së të mbajtura muajin e kaluar në kryeqytetin Dushanbe të Taxhikistanit.

Propozimi i Perëndimit për ndihmë ndaj Azisë Qendrore duhet të analizohet mirë

Ai theksoi se disa shtete perëndimore "nën arsyetimin për të ndihmuar në kapërcimin e pasojave të situatës ushtarako-politike që ndryshon" u kanë ofruar vendeve të Azisë Qendrore që të formojnë bashkëpunim dypalësh në fushën e sigurisë.

"Sigurisht që populli i çdo vendi ka të drejtë të ketë një politikë të jashtme të pavarur që plotëson interesat kombëtare. Por propozime të tilla, përfshirë edhe dobitë dhe stabilitetin rajonal, gjithmonë kanë nevojë për një analizë të kujdesshme për koston potenciale lidhur me këto propozime", tha Lavrov.

Ndërhyrje e SHBA-së dhe BE-së në Bjellorusi është shqetësuese

Më tej, Lavrov tha se Rusia është e shqetësuar thellësisht nga ndërhyrja e vrazhdë e SHBA-së dhe Bashkimit Evropian (BE) në punët e brendshme të Bjellorusisë. Ai theksoi se perëndimi vazhdon sanksionet dhe presionet politike kundrejt Minskut dhe se krahas kësaj injoron plotësisht reformat për forcimin e kushtetutës dhe shoqërisë.

"Vetëm populli bjellorus dhe përfaqësuesit e tij ligjorë kanë të drejtën të përcaktojnë të ardhmen e tyre në kuadrin e legjislacionit kombëtar aktual", tha Lavrov, duke shtuar se "veprimet e BE-së tregojnë se çfarë është objektivi i vërtetë".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın