Rusia: Kontaktet me SHBA-në vazhdojnë, por nuk ka konsultime mbi planin e paqes në Ukrainë
"Në Abu Dhabi nuk pati konsultime mbi planin e paqes. Ky plan nuk u diskutua në mënyrë të detajuar me askënd", tha këshilltari i Politikës së Jashtme i Kremlinit, Yuriy Ushakov
Moskë
Këshilltari i Politikës së Jashtme i Kremlinit, Yuriy Ushakov, deklaroi se ata nuk kanë diskutuar një plan paqeje me SHBA-në në lidhje me zgjidhjen e krizës së Ukrainës në Abu Dhabi, kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Anadolu.
"Kontaktet janë duke vazhduar, por nuk janë diskutuar në tryezë", tha Ushakov për kanalin televiziv "Rossiya-1", në lidhje me planin e paqes të SHBA-së për zgjidhjen e krizës së Ukrainës.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse bisedimet në lidhje me planin e Ukrainës u zhvilluan midis Rusisë dhe SHBA-së në Abu Dhabi, Ushakov tha:
"Të gjithë ndodhen në Abu Dhabi ose Dubai, por ne jemi në Bishkek. Në mesin e atyre që ndodhen në Abu Dhabi janë përfaqësues të shërbimeve speciale ukrainase dhe ruse të cilët janë të angazhuar në punë serioze. Ata takohen periodikisht për të diskutuar çështje të ndjeshme, përfshirë shkëmbimin e të burgosurve të luftës. Gjatë këtyre bisedimeve, përfaqësuesi i ri i SHBA-së për Ukrainën u shfaq gjithashtu atje. Për sa di unë, ai u takua me përfaqësuesit ukrainas. Ky takim ka të ngjarë të ketë qenë i paracaktuar. Ai u takua gjithashtu me përfaqësuesit tanë në mënyrë të papritur. Kjo është ajo që ndodhi në Abu Dhabin e Madh".
Kur u pyet nëse u diskutua apo jo në Abu Dhabi plani amerikan për Ukrainën, Ushakov u shpreh: "Në Abu Dhabi nuk pati konsultime mbi planin e paqes. Ky plan nuk u diskutua në mënyrë të detajuar me askënd".
Ushakov, vuri në dukje se SHBA-ja ia ka përcjellë planin Rusisë përmes kanaleve jozyrtare. "Plani duhet të analizohet seriozisht. Disa nga dispozitat e tij mund të shihen pozitivisht, por shumë kërkojnë konsultime të veçanta midis ekspertëve. Ne kemi disa versione të këtij plani, por nuk janë zhvilluar konsultime serioze midis përfaqësuesve të dy vendeve. Kontaktet janë duke vazhduar, por nuk janë diskutuar në tryezë", shtoi ai.
Këshilltari i Politikës së Jashtme i Kremlinit vuri në dukje se SHBA-ja po negocion si me Ukrainën ashtu edhe me vendet evropiane në lidhje me planin, duke deklaruar se "Nuk ka nevojë për evropianët në procesin e paqes në Ukrainë".
