Rusia kërkon 230 miliardë dollarë kompensim nga Euroclear me seli në Belgjikë
Banka Qendrore Ruse tha se përdorimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i aseteve të ngrira ruse nga BE-ja shkel ligjin ndërkombëtar dhe se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë
Moskë
Banka Qendrore e Rusisë kërkon 18.2 trilionë rubla (rreth 229.7 miliardë dollarë) kompensim nga Euroclear, një kompani shërbimesh financiare me seli në Bruksel të Belgjikës, sipas një deklarate nga Gjykata e Arbitrazhit në Moskë, transmeton Anadolu.
Banka qendrore ngriti padi kundër Euroclear-it më 12 dhjetor duke kërkuar kompensimin. Euroclear mban rreth 185 miliardë euro (217 miliardë dollarë) në rezerva ruse të bllokuara për shkak të sanksioneve të BE-së të vendosura pas shpërthimit të luftës në Ukrainë në shkurt 2022.
Të premten, shtetet anëtare të BE-së vendosën të bllokojnë për një kohë të pacaktuar asetet e ngrira ruse që arrijnë në 210 miliardë euro.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas tha se 210 miliardë euro do të mbeten në territorin e BE-së nëse Rusia nuk kompenson dëmin që i ka shkaktuar Ukrainës gjatë luftës së vazhdueshme, e cila po i afrohet kufirit katërvjeçar.
Banka Qendrore Ruse tha në të njëjtën ditë se përdorimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i aseteve të ngrira ruse nga BE-ja shkel ligjin ndërkombëtar dhe se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjorë.
