Bota

Rusia: Iniciativat e Trumpit për të ndaluar luftërat nuk i zgjidhën shkaqet rrënjësore të problemeve

"Ne i vlerësojmë iniciativat e Trumpit për të ndaluar luftërat, në vend që t'i fillojë ato, siç bënë paraardhësit e tij. Por, këto përpjekje nuk i zgjidhën shkaqet rrënjësore të problemeve", tha Lavrov

Dmitri Chirciu  | 25.11.2025 - Përdıtësım : 25.11.2025
Rusia: Iniciativat e Trumpit për të ndaluar luftërat nuk i zgjidhën shkaqet rrënjësore të problemeve

Moskë

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov lidhur me iniciativat e presidentit të SHBA-së Donald Trump për t'i dhënë fund luftërave tha se "këto iniciativa nuk i kanë zgjidhur shkaqet rrënjësore të problemeve", transmeton Anadolu.

Në intervistën për kanalin YouTube të Shoqatës "Dialogu Francë-Rusi", Lavrov komentoi deklaratën e presidentit amerikan Trump se ai "u ka dhënë fund tetë luftërave".

"Ne i vlerësojmë iniciativat e Trumpit për të ndaluar luftërat, në vend që t'i fillojë ato, siç bënë paraardhësit e tij. Këto luftëra u ngrinë përkohësisht. U arritën armëpushime. Pati armëpushime midis Pakistanit dhe Afganistanit, Kamboxhias dhe Tajlandës, Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, por këto përpjekje nuk i zgjidhën shkaqet rrënjësore të problemeve", deklaroi Lavrov.

Ai tha se në rajonet në fjalë dhe në Rripin e Gazës, problemet kanë filluar të përjetohen sërish. "Iniciativat për të ndaluar menjëherë gjakderdhjen meritojnë lavdërime. Megjithatë, zgjidhjet afatgjata të problemeve kërkojnë përpjekje të zellshme, të durueshme dhe pa nxitim", shtoi Lavrov.

"Ukraina ka bërë deklarata kontradiktore lidhur me planin e paqes të SHBA-së për zgjidhjen e krizës në Ukrainë. E kam të vështirë të komentoj mbi spekulime të tilla. Sigurisht, ne besojmë se një zgjidhje diplomatike është e preferueshme", tha shefi i diplomacisë ruse.

- "Britania dhe SHBA-ja po manipulojnë Evropën"

Lavrov kritikon qasjen e Francës ndaj Rusisë ndërsa tha se "Franca nuk ka qenë e ndershme me Rusinë për një kohë të gjatë".

Ai deklaroi se politikanët evropianë gjithmonë kanë kërkuar të dëmtojnë Rusinë dhe të shkaktojnë disfatë strategjike në Ukrainë. "Këta politikanë gjithmonë kanë luajtur për luftën", shtoi ministri rus.

Sipas tij, Britania dhe SHBA-ja po manipulojnë Evropën dhe se Rusia nuk nxiton të ulet në tryezën e negociatave me Evropën.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.