Bota

Rusia i quan “alarmante” planet franceze për të dërguar ushtarë në Ukrainë

Një raport nga Shërbimi i Inteligjencës Ruse (SVR) pretendon se Parisi po përgatit 2 mijë ushtarë për të luftuar në anën e Ukrainës

Elena Teslova  | 28.10.2025 - Përdıtësım : 28.10.2025
Rusia i quan “alarmante” planet franceze për të dërguar ushtarë në Ukrainë Foto: AA/Arkiv

Moskë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e ka quajtur “alarmante” informacione që pretendon se Franca planifikon të dërgojë ushtarë në Ukrainë, transmeton Anadolu.

Duke komentuar një raport nga Shërbimi i Inteligjencës Ruse (SVR), i cili pretendon se Parisi po përgatit 2 mijë ushtarë për të luftuar në anën e Ukrainës, Peskov tha se “kjo është alarmante”.

I pyetur në një konferencë për media lidhur me perspektivat e rifillimit të negociatave për Ukrainën, Peskov tha se pauza aktuale është për shkak të mos gatishmërisë së Kievit për të vazhduar procesin e negociatave dhe refuzimit për t’iu përgjigjur propozimeve të Moskës për punë të mëtejshme në grupe, për çështje politike, ushtarake dhe humanitare.

Nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga Franca, e cila së bashku me Mbretërinë e Bashkuar, kryeson një të ashtuquajtur “koalicion të vullnetarëve” që synon të vendosë trupa në Ukrainë sapo të përfundojë konflikti.

Duke iu përgjigjur deklaratave të kryeministrit polak, Donald Tusk, se Ukraina pretendohet se ka të drejtë të godasë objektet e infrastrukturës ruse në të gjithë Evropën, zëdhënësi i Kremlinit tha se ato përbëjnë “justifikimin e akteve terroriste”.

Ai rekomandoi që udhëheqja e vendeve evropiane të reflektojë mbi atë pse një aleancë kaq e ngushtë me Poloninë, e cila justifikon sulmet terroriste, është e nevojshme për BE-në.

Peskov gjithashtu tha se nëse Evropa zgjedh të mbështesë më tej Ukrainën, kjo do të thotë shpenzime të mëtejshme për taksapaguesit e saj.

“Këtu, evropianët duhet të përgatiten për faktin se nëse vazhdojnë marrëdhëniet e tyre me regjimin e Kievit siç bëjnë tani, do të duhet të paguajnë më gjatë dhe më shumë”, sthoi ai.

Lidhur me kërcënimin e presidentit lituanez, Gitanas Nauseda, për të ndaluar komunikimin midis Rusisë kontinentale dhe enklavës së saj të Kaliningradit që kalon nëpër territorin e shtetit baltik, Peskov tha ase Moska do të sigurojë komunikime të pandërprera me “pjesën e saj integrale”.

I pyetur nëse Moska ka diskutuar me udhëheqësit e Kinës dhe Indisë përpjekjet e SHBA-së për t’i detyruar ata të braktisin blerjen e naftës dhe gazit rus, Peskov tha se Rusia ofron burime të energjisë me cilësi të lartë me çmime tërheqëse, por mbetet në dorë të klientëve nëse do t’i blejnë ato ose jo.

“Ne ofrojmë produktin tonë. Ky produkt është strategjikisht i rëndësishëm për shumë vende. Është konkurrues dhe tërheqës. Nga këtu, secili vend vendos se sa tërheqës është dhe sa mirë mund të konkurrojnë alternativat e tjera të propozuara me produktin tonë”, tha ai.

Peskov shpjegoi interesin e Hungarisë për burimet energjetike të Rusisë me “cilësinë e tyre shumë konkurruese”.

“Në përgjithësi, Orban (kryeministri hungarez) mbron interesat e vendit të tij. Çdo vend është i interesuar të blejë mallra strategjike si burime të energjisë me cilësi më të mirë, sasi të mëdha dhe me çmime më të ulëta. Në këtë drejtim, burimet ruse të energjisë janë shumë konkurrese në tregjet ndërkombëtare”, tha ai.

Duke u ndalur te çështjet e tjera ndërkombëtare, Peskov tha se presidenti rus, Vladimir Putin dhe ministrja e Punëve të Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son Hui, të hënën diskutuan çështje që lidhen me planet për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë, partneritetit dhe aleancave midis dy kombeve.

Lidhur me një vizitë të mundshme të udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong un, Peskov tha se “aktualisht nuk kemi asgjë për të raportuar mbi këtë temë”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.